Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar një ditë pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kaloi për gjykim dosjen e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim ka risjellë në vëmendje vendimin e DASH të shkurtit të vitit të 2018, ku i ndalon hyrjen në SHBA atij dhe familjes së tij.
Diplomatja amerikane thotë se vendimi mbetet ende në fuqi. Vendimi u mor nga gjyqtarja paraprake Irena Gjoka e cila vendosi se ish kryeprokurori do të kalojë në gjykim si i pandehur.
Ai do të gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuzën e fshehjen të pasurisë dhe deklarim të pasaktë të pasurive në tre raste sipas një hetimit të çelur në prokurorinë e Durrësit, menjëherë sapo organet e vettingut dorëzuan rezultatet e tyre.
Ndërkohë GJKKO i ka hequr sekuestron ndaj pasurive që i janë sekuestruar në vitin 2018, saktësisht 22.050 m² tokë arë në Tiranë dhe një apartament banimi në Durrës me sipërfaqe 67.2 m².
LEXO EDHE: Kalon për gjykim dosja e Ardriatik Llallës, i hiqet sekuestro e pronave
Çfarë thoshte njoftimi i DASH, i 14 shkurtit 2018
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka miratuar masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Por, e njëjta masë është marrë edhe ndaj familjarëve të Llallës, teksa ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, ligji parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç Llallës, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane./ Opinion.al