Home KRYESORE Kina po e fiton garën e vaksinave

Kina po e fiton garën e vaksinave

Nga Eyck Freymann & Justin Stebbing, Foreign Affairs

Në fillim të këtij viti, Kina dështoi në reagimin e saj fillestare ndaj Covid-19. Për rrjedhojë sëmundja u përhap në mbarë botën, duke dëmtuar ekonomitë, vrarë më shumë se 1.2 milionë njerëz, dhe duke e dëmtuar seriozisht imazhin e Pekinit.

Në vitin 2021, Kina planifikon të shfajësojë veten duke vaksinuar një pjesë të madhe të popullsisë globale. Edhe pse përballet me një konkurrencë të fortë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore në garën për të prodhuar vaksinën e parë, Pekini është i gatshëm të dominojë shpërndarjen e vaksinave në botën në zhvillim, duke marrë edhe përfitimet strategjike të kësaj sipërmarrjeje gjigante.

Në të gjithë botën, 11 vaksina kandidate kundër Covid-19, janë aktualisht në fazat e treta të provave, që është e fundit para miratimit nga autoritetet rregullatore. Katër prej tyre janë kineze. Ndër to më premtuesja është ajo e zhvilluar nga kompania ”Sinopharm” me qendër

në Vuhan, e cila po u jepet tashmë punonjësve të shëndetësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër këtij virusi.

Sipas Vu Guizhen, ekspertit kryesor të bio-sigurisë në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vaksina kandidate e“Sinopharm”, pritet të marrë miratimin e plotë brenda këtij muaji ose maksimumi në dhjetor.

Vaksinat kryesor kandidate amerikane të kompanive”Moderna” dhe “Pfizer”, mund të aprovohen përafërsisht në një njëjtën periudhë. Por administrata e presidentit Donald Trump nuk ka në plan të konkurrojë me Kinën për të shpërndarë vaksinat tek më shumë se gjysmën e popullsisë së botës jeton në botën në zhvillim.

Shtetet e Bashkuara, kanë refuzuar të marrin pjesë në nismën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të shpërndarë falas 2 miliardë doza vaksinash tek popullatat në rrezik në vendet në zhvillim, të cilat nuk kanë para dhe as nuk kanë nënshkruar marrëveshje preferenciale të shpërndarjes së vaksinave me vende të tilla, siç ka bërë edhe Kina.

Qasja e SHBA-së për zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave, si për shumë gjëra të tjera Të kësaj administrate, ka qenë “Amerika e Para”. Duke i la lënë të lirë Kinës fushën e shëndetit publik,Shtetet e Bashkuara do ta lejojnë Pekinin të ndërtojë për veten jo vetëm imazhin e një udhëheqësi global në zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave, por si shpëtimtari i botës në zhvillim.

Por nga ana tjetër, edhe nëse Kina e fiton garën për të prodhuar një vaksinë, prodhuesit e saj nuk kanë gjasa të konkurrojnë në tregjet amerikane, evropiane ose japoneze. Prodhuesit kinezë të vaksinave,kanë hasur në të shkuarën vështirësi të mëdha përballe rregulloreve strikte për të shitur barnat e tyre në tregjet perëndimore.

Dhe pjesërisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë vende të zhvilluara perëndimore po përpiqen të “distancohen”nga prodhimet mjekësore nga Kina. Shumica e tyre kanë nënshkruar tashmë marrëveshje të mëdha me prodhuesit kryesorë të vaksinave perëndimore “Moderna”, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Për një vend me të ardhura të larta, çmimi i vaksinimit të çdo qytetari është i vogël krahasuar me koston e një bllokimi tjetër. “Moderna” vlerëson se vaksina e saj do të kushtojë midis 64- 74 dollarë për person, përfshirë edhe një dozë të dytë të mundshme përforcuese.

Por në tregjet e mëdha në zhvillim të Azisë, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine, ku më shumë se gjysma e popullsisë globale jeton, dhe ku shumë qeveri mezi mund të përballojnë blerjen e vaksinave, prodhuesit kinezë janë gati të mbizotërojnë.

Vaksinat kineze janë në provat klinike të fazës së tretë në 18 vende, përfshirë Argjentinën, Bahreinin, Bangladeshin, Brazilin, Egjiptin, Indonezinë, Marokun, Pakistanin, Perunë, Rusinë, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ky është një treg potencial shumë i madh, edhe nëse Pekini do të subvencionojë pjesën më të madhe të çmimit të vaksinave, ai do të dominonte shpërndarjen e vaksinave në botën në zhvillim. Në fakt, strategjia e shpërndarjes së vaksinave të Pekinit, ka të ngjarë të mbështetet shumë tek subvencionet.

Presidenti kinez Xi Jinping, aludoi për herë të parë në këtë strategji që në muajin maj, kur premtoi se çdo vaksinë kineze kundër Covid-19, do të ishte një “e mirë publike globale”.Xi ka premtuar 1 miliard dollarë kredi për vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, për të paguar një shumë paraprake mbi qasjen tek vaksinat kineze.

Muajin e shkuar, Meksika nënshkroi një marrëveshje me “CanSino”, një tjetër kompani kineze e vaksinave, me vaksinën e vet kandidate në provat e fazës së tretë, për të blerë 70 milion doza përmes një huaja të premtuar nga Kina. Kina planifikon të nisë eksportimin e këtyre dozave edhe para se të ketë vaksinuar të gjithë qytetarët e saj, një gjest që sigurisht do të gjenerojë simpati nëpër botë ndaj Pekinit.

Kina do t’i përdorë marrëveshje të tilla preferenciale mbi vaksinat, për të konsoliduar partneritetin e saj me qeveritë në rajone që i konsideron si të rëndësishme dhe strategjike si Azia Juglindore, Afrika, Amerika Latine dhe Karaibet. Që nga viti 2013, Pekini i ka përdorur me një efekt të ngjashëm financimet preferenciale për projekte të mëdha të infrastrukturës, përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës.

Shumë prej këtyre mega-projekteve këtë vit kanë ngecur, për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Në vitin 2021, duke e fokusuar vëmendjen e botës tek“Rruga e Shëndetit të Mëndafshtë”, Kina do të kërkojë të ri-emërtojë veten si një udhëheqëse e teknologjisë dhe një mbrojtëse e shëndetit publik global, duke hedhur poshtë akuzat amerikane se ajo është një “balliste” dhe një hua-dhënëse “grabitqare”.

Por edhe vaksinat kineze të subvencionuara, do të vijnë me një çmim. Megjithëse Pekini nuk ka gjasa të kërkojë lëshime politike specifike, ai më së paku do të presë që vendet pritëse të tregojnë mirënjohjen e tyre. Në fillim të krizës së Covid-19, presidenti serb Aleksandër Vuçiç puthi para medieve flamurin kinez kur një ngarkesë me pajisje mjekësore mbërriti nga Kina.

Pak ditë më vonë, një billbord i madh u ngrit përpara godinës së parlamentit serb në Beograd ku shkruhej:”Faleminderit, Vëllai i Madh Xi!”. Më 24 mars, pikërisht në javën kur vdekjet në Itali nga Covid-19 arritën kulmin, Ministri i Jashtëm italian Luixhi di Maio, tha se ventilatorët dhe maskat e dhuruara nga Kina,parandaluan më të keqen.

Por nuk janë vetëm qeveritë kombëtare, që do ta përqafojnë përkushtimin e ri të Kinës për shëndetin publik global. Institucionet ndërkombëtare, do të vazhdojnë që ta lavdërojnë Kinën për marrjen e angazhimeve madhështore.

Edhe pse në fillim pagoi një kosto diplomatike për dështimin e saj për të kontrolluar koronavirusin e ri, Kina është e gatshme të riparojë reputacionin e saj të dëmtuar, duke krijuar për veten imazhin e sigurueses së shëndetit publik për botën në zhvillim.

Nëse Uashingtoni vazhdon të refuzojë që të konkurrojë, ai nuk do të rrezikojë thjesht të humbasë garën e vaksinave. Por do ta lejojë Kinën të fitojë prestigjin e një fuqie teknologjike të shkallës së parë, simpatinë e një numri aleatësh të rinj të mundshëm, dhe një pretendim të ligjshëm për udhëheqjen globale. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share: