Home Gjeo-Ekonomia Kur kapitalizmi i Besart Kadisë fle me socializin e Edi Ramës (Dhe...

Kur kapitalizmi i Besart Kadisë fle me socializin e Edi Ramës (Dhe një ftesë për diskutim mbi modelin ekonomik)

Nga Alternativa Civile

Dëgjuam zv/ministrin e ri të ekonomisë dhe financave, Besart Kadia, të fliste mbrëmë mbi “teoritë e tij ekonomike”, që u përputhën me ato të Ramës, dhe për këtë arsye ai iu bashkua kabinetit qeveritar. Nuk po merremi me moralin politik këtu, por me përputhjen e “teorive”.

Në fakt “teoritë” e Kadisë nuk janë teoritë e tij, por janë teoritë e shkollës ekonomike të Çikagos, që predikojnë privatizmin total, dhe një shtet të vogël si rregullator i tregut. Këto teori janë eksperimentuar dhunshëm në disa vende të Amerikës së Jugut, duke prodhuar katastrofa ekonomike e sociale, që zgjatën me dekada. U zbatuan po dhunshëm edhe nga Margaret Thaçer, por ekonomia britanike është britanike, dhe i rezistoi. Me pak fjalë, teoritë e Kadisë që s’janë të Kadisë, janë për një kapitalizëm “të egër”. Se sa mund të flenë ato në krevatin e një qeverie të majtë, këtë e dinë Rama dhe Kadia.

Teoria e “Djemve të Çikagos”, u zbatua në Shqipëri në fillim të viteve ‘90. Kur ca teoricentë si puna e Besartit, erdhen nga SHBA dhe iu shfaqën Berishës dhe Gramoz Pashkos si Messia i tregut të lirë. U zbatua ajo që u quajt “Terapia e shock-ut”, me simbolikën e “Çekut të bardhë”. Përfundimi: U shfaros çdo seksion prodhues që ekonomia jonë trashëgoi nga komunizmi. U shkulën nga themeli fabrikat. U shkulën edhe plantacionet. Ne jemi ende nën shock, ndërsa universiteti i liberalëve të rinj shpërndan një çmin ekonomik me emrin “Gramoz Pashko”.

Pas këtyre eksperimenteve me pasoja dramatike, në Shqipëri deri tani nuk është zbatuar ndonjë model specifik ekonomik. Më shumë ajo është udhëhequr nga nevojat urgjente dhe nevojat e oligarkisë që rrethon pushtetin. Qeveria socialiste nuk ka asnjë lidhje me të majtën tradicionale, dhe ka privatizuar çfarë ka mundur deri tani. Privatizimet e mëdha, nga nafta tek shëndetësia, nga energjia tek arsimi, rezultuan një dështim total për interesat e shtetit dhe qytetarëve.

Ne mbrojnë “teorinë”që Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku të zbatohen teoritë e “Djemve të Çikagos”. Populli më i vafër në Europë, me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë, me nivelin e zbatimit të ligjit më të ulët në Euronë, nuk mund të braktiset nga shteti e të lihet në mëshirën e tregut të lirë agresiv. Nuk po flasim për një ekonomi të centralizuar, por për një vend ku shteti të mos jetë agjensi, por i aftë te menaxhojë së paku sektorët strategjikë.

Ndryshe, si mund të na e shpjegojë Z.Kadia faktin, se ditën që ai shkoi në qeveri, qeveria nxorri nga arka e vet 5 milion Euro të rimbursonte naftëtarët e Ballshit, pasi një “pionier i tregut të lirë”, u zhduk duke marrë vete edhe taksat edhe shtetit edhe paratë e punëtorëve? Dhe ata mbetën pa bukë.

Ne ftojmë lexuesit që ti bashkohen një diskutimi publik mbi këtë çështje:
Pra, a na duhet një ekonomi tërësisht e bazuar në treg, apo një ekonomi tregu, ku shteti të ketë rolin e tij jo vetëm rregullator, por edhe menaxherial?

Të nderuar lexues, jepni mendimin tuaj dhe shpërndajeni këtë shkrim për ti dhënë frymë një diskutimi të rëndësishëm.

Share: