Home Gjeo-Ekonomia Lufta bërthamore, një skenar që SHBA dhe Perëndimi nuk duhet ta neglizhojnë

Lufta bërthamore, një skenar që SHBA dhe Perëndimi nuk duhet ta neglizhojnë

Nga John Dale Grover “The Hill”

Përvjetori i fundit i Krizës Kubane të Raketave, duhet të jetë një kujtesë për qytetarët amerikanë dhe politikë-bërësit se lufta bërthamore nuk është e pamundur. Për 13 ditë nga 16 tetori deri më 28 tetor 1962, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik gati sa nuk e asgjësuan njëra-tjetrën përmes një lufte bërthamore.

Sot, përvjetori i radhës duhet të na paralajmërojë se përmes një krize që del jashtë kontrollit, një aksidenti apo komunikimi të gabuar, Uashingtoni mund t`a gjejë ende veten në një luftë bërthamore me Moskën, Pekinin ose Phenianin.

Sot, marrëdhëniet me Kinën janë të tensionuara, dhe tensionet me Korenë e Veriut – megjithëse për momentin janë në një lloj pauze – ka të ngjarë të rifillojnë më shpejt sesa shumëkush mund të mendojë. Edhe marrëdhënia e Amerikës me Rusinë është gjithashtu e acaruar.

Ndërkohë në fuqi ka mbetur vetëm një traktat për kontrollin e armëve bërthamore midis Uashingtonit dhe Moskës. Traktati i Ri i Reduktimit të Armëve Strategjike 2011 (NEWSTART), do të skadojë në shkurtin e vitit që vjen, ndërsa janë duke u zhvilluar negociatat e minutës së fundit për të zgjatur atë traktat edhe për 1 vit tjetër.

Historia tregon se ballafaqimi me një fuqi bërthamore armiqësore, kërkon një qëndrueshmëri të dyfishtë:një ushtri të fortë për të parandaluar çdo sulm, dhe një trupëtë fortë diplomatike për të zgjidhur në kohë çdo krizë apo keqkuptim. Problemi është se pa diplomaci, dhe në mungesë të komunikimit, ndryshimi i linjave të kuqe dhe aksidentet mund të shkaktojë një luftë bërthamore.

Dhe në fakt, Kriza Kubane e Raketave, është një shembull i përsosur i kësaj.Në prillin e vitit 1961, presidenti amerikan Xhon F.Kenedi u përpoq të rrëzonte nga pushteti diktatorin kuban Fidel Kastro gjatë operacionit në Gjirin e Derrave, që ishte vetëm njëra nga një seri ngjarjesh që e shtynë Kastro të kërkonte ndihmë ne Moskës.

Si për ta komplikuar më shumë situatën, SHBA-ja vendosi raketat bërthamore “Jupiter”

në territorin e aleates sësaj, Turqisë, që ishin shumë afër Bashkimit Sovjetik. Për pasojë, Moska pati frikë nga një sulm i mundshëm, dhe donte t’i bënte të njëjtën gjë Uashingtonit duke vendosur në Kubë raketat e veta bërthamore.

Kenedi shqyrtoi gjatë ditëve të krizës shumë opsione, përfshirë bombardimin e vendeve ku ishin instaluar raketatapo pushtimin e Kubës. Por fatmirësisht vendosi të mos ndërmerrte asnjëveprim ushtarake. Në vend të tyre, ai urdhëroi “karantinimin”e Kubës.

Ndërsa Amerika nisi zbatimin e bllokadës së saj, nisën negociatat të cilat përfunduan me një marrëveshje e fshehtë:Moska do të tërhiqte raketat e saj bërthamore nga Kuba, nëse Uashingtoni do të largonte raketat e veta“Jupiter” nga Turqia.

Sidoqoftë, Uashingtoni e mbajti të fsheh të pjesën e dytë të marrëveshjes, për ta bërë të dukej sikur ishte vetëm Moska ajo që ishte zmbrapsur – një vendim që u krijoi gabimisht përshtypjen brezave të mëvonshëm të politikë-bërësve, se kur përballemi me një krizë,fuqia e fortë është gjithçka që ka rëndësi.

Kriza Kubane e Raketave gati sa nuk degradoi në një luftë bërthamore pasi aksidentet, gabimet dhe komunikimi i gabuar ishin më se të zakonshme. Për shembull, CIA vlerësoi në mënyrë të gabuar se në Kubë ndodheshin vetëm rreth 12.000 trupa sovjetike. Në realitet, aty ishin stacionuar mbi 40.000 trupa sovjetike dhe nëse vetëm ndonjëri prej tyre do të kishte vdekur, Moska me siguri që do të ishte hakmarrë.

Përveç kësaj, sipas Arkivave Kombëtare të SHBA-së, CIA “nuk ishte në dijeni se sovjetikët kishin gati për lëshim 35 armë bërthamore “LUNA”, që do të kishin shkatërruar çdo forcë zbarkuese amerikane”. Arkivat vunë gjithashtu në dukje se gjatë krizës “disa grupe anti-Kastro, që vepronin nën një program të CIA-s … vazhduan aktivitetet e tyre sabotuese, pasi askush nuk kishte menduar të anulonte misionin e tyre, që fare mirëmund të ngatërrohej si përgatitje për sulm nga vetë ushtria amerikane”.

Lista vazhdon më tej. Menjëherë pasi u urdhërua në “Defcon 2”, gjenerali Tomas Pauers, komandanti i bombarduesve bërthamorë të Amerikës dhe raketave balistike ndërkontinentale (ICBM), transmetoi në mënyrë të rrezikshme disa prej porosive të tij pa asnjë kod.

Gjithashtu, Amerika kreu një provë rutinë të raketave ICBM, edhe pse një veprim i tillë mund t’u dukej sovjetikëve si një sulm ndaj tyre.Një roje në bazën ajrore “Dulut” e ngatërroi një ari me një diversant, dhe dha alarmin. Por shtypi aksidentalisht butonin e alarmit ndaj një sulmi bërthamor në Volks Field në Uiskonsin.

Avionët luftarakë të armatosur me armë bërthamore u bënë gati të ngrihen, por fatmirësisht u ndaluan në momentin e fundit nga një oficer që u doli përpara në pistë me makinën e tij me dritat të ndezura.Ndërkohë, nuk pati një por dy incidente të njëpasnjëshme me avionin spiun U-2.

Një avion i tillë ra aksidentalisht në Bashkimin Sovjetik, ndërsa një tjetër U-2 që fluturonte mbi Kubë u  rrëzua nga trupat ruse që vepruan në mënyrë të njëanshme pa ndonjë autorizim nga Moska.Së fundmi, ka pasur incidente të shumta midis marinës amerikane dhe nëndetëseve sovjetike.

Anijet amerikane detyruan në një rast daljen në sipërfaqe të 4 nëndetëseve sovjetike, secila e pajisur me nga një silur bërthamor. Dhe të paktën në 2 raste, komandantët sovjetikë urdhëruan lëshimin e silurëve, por ishin komandantët e nëndetëseve ata që vendosën të mos qëllonin.

Mjerisht, sot shumë politikë-bërës duket se i kanë harruar mësimet e Krizës Kubane të Raketave. Ata nuk mund ta kontrollojnë asnjë herë plotësisht një krizë, veçanërisht pa një vetëpërmbajtje të mjaftueshme dhe diplomaci.

Imagjinoni sa i rëndë do të ishte një incident sot në epokën e mediave sociale dhe keqinformimit. Një diplomaci e vendosur, duhet të shoqërojë gjithmonë forcën e vendosur ushtarake. Le të shpresojmë që politikë-bërësit, të mos e harrojnë kurrë mësimin e vërtetë nga kriza e 58 viteve më parë.

Perktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share: