Home KRYESORE Përballë Eglantina Kananit, Komitetit të Ekspertëve, Edi Ramës dhe Trojan Elezit!

Përballë Eglantina Kananit, Komitetit të Ekspertëve, Edi Ramës dhe Trojan Elezit!

Nga Elona Caslli

Do ta filloj përballjen me ty Eglantina Kanani, me ty që përfaqëson Policinë e Shtetit në këtë vend.

Më ndalove sot, se kisha thyer ligjin dhe kur të pyeta se si ka mundësi që pesë hapa larg meje ndodhet një tavolinë klubi e mbushur plot me njerëz dhe pa maska m’u përgjigje- Ky është ligji.

Në mungesë të mjetit tim të identifikimit, kishe të drejtën të më shoqëroje në komisariat, por jo të thërrisje policë të tjerë dhe të më kapje me dhunë dhe të më fusje në makinë.

Ajo çka nuk mundem dhe nuk do të harroj kurrë është se zbatove me përpikmëri skenën e filmave, ku një njeri që ka vrarë dikë apo një njeri që ka shitur drogë, tërhiqet me dhunë dhe i ulet koka nga dora e policit që e fut në makinë.

Nëse do të më duhej t’i konkretizoja dikujt imazhin e një hetueseje në kohën e komunizmit, do të merrja imazhin tënd teksa qeshje dhe ma bëje me sy, ndërkohë që unë nuk arrija të shqiptoja të dhënat e mia në komisariat, pasi lotët më kishin bllokuar grykën.

Nuk jam dhunuar nga askush dhe nuk kam dhunuar askënd në jetë Eglantina Kanani. Ndryshe nga ti që po i gëzoheshe dhunës që po ushtroje dhe këtë të fundit ma servire si të drejtë të policisë.

Përpara poshtërsisë së ngërdheshjes sate, mbeta pa fjalë dhe të thashë veçse dy fjalë- Ti përfaqëson veçse turpin. Do të ndihesha e turpëruar po të ishe motra ime.

Me paturpësinë e një të pacipe qeshe dhe ma bëre me sy.

Zoti të mëshiroftë Eglantina Kanani!

Do ta vazhdoj përballjen me ju anëtarë të Komitetit të Ekspertëve. Keni bërë një betim në jetën tuaj, kur jeni diplomuar. E njihni më mirë se unë përmbajtjen e atij betimi. Aktualisht në sytë e mi dhe jo vetëm, betimi juaj quhet “Betimi i Hipokritit”.

Duke qenë se gëzoni tituj akademikë dhe ju përkëdhelet sedra, kur njerëzia ju thërret; I nderuar Profesor apo e nderuar Profesoreshe, kisha në pyetje për ju;

Mbi ç’argument shkencor përligjni faktin se unë duke ecur krejt e vetme në rrugë rrezikoj të infektohem, kur paradoksalisht dy hapa larg meje dhe larg policisë që më gjobit, ndodhet një tavolinë klubi e dalë në trotuar, me pesë burra që hanë e pinë pa kurrfarë distancimi fizik?!

Më jepni një argument dhe në rast se nuk e keni një të tillë, digjini diplomat dhe titujt dhe betohuni para Edi Ramës.

Për një herë të vetme në jetë, tregohuni të ndershëm me veten tuaj.

Do ta vazhdoj përballjen me ty Edi Rama. Nuk të quaj Kryemimistër, sepse nuk je Kryeministri im.

Ajo çka ti quan ligj në të vërtetë është një tallje dhe një poshtërim për një popull të tërë.

Erion Veliaj në profilin e tij ka postuar një foto ku është plot me njerëz dhe nuk ka as maskë dhe as distancim fizik.

Unë gjobitem teksa eci krejt e vetme në rrugë pa maskë.

Unë e refuzoj talljen tënde. Ta kam thënë dhe ta rithem- Maskën nuk e vë.
Ti po tallesh me një komb të tërë.
Unë refuzoj t’i nënshtrohem talljes sate.

Tek fleta e gjobës sot, ke firmën time speciale.( Ndjesë për shkrimin, por më dridheshin duart).

Do ta përmbyll me ty Trojån Elezi. Më vjen mirë që komentove në facebook dhe munda të të identifikoja me emër. Në këtë ditë të errët ti ishe drita.

Ishin shumë njerëz të pranishëm sot. Ishin dhe qytetarë të thinjur madje, që veçse vështronin se çfarë po ndodhte.

Ti ishe më i vogli mes tyre dhe paradoksalisht më i guximshmi. Ti ndërhyre dhe thërrite fort, se ishte e tepërt ajo çka po ndodhte.

Ti ishe zëri i atij që thërriste në shkretëtirë.

Post Scriptum – Shqipëri 2020 apo Shqipëri 1944?!

Share: