Amerikanët ende nuk kanë zyrtarisht një fitues nga zgjedhjet presidenciale, ndërsa nga të dhënat e fundit, kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të rrisë avantazhin përballë republikanit Donald Trump.
Megjithëse rezultatet vazhdojnë të jenë të afërta, Biden gjendet në pozita të forta për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ndërkohë, ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”.
Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.
Biden aktualisht udhëheq me shumicën e votës popullore, me 264 vota elektorale kundër 214 votave për Presidentin Trump në Kolegjin Elektoral, ndërsa duhen të paktën 270 vota për fitoren e një mandati presidencial katër vjeçar.
Sipas numërimit të votave, Biden kryeson në Pensilvani me 21749 vota (me 98% të votave të numëruara), në Xhorxhia me 4’020 vota (me 99% të votave të numëruara), në Arizona me 36’816 vota (me 90% të votave të numëruara), si dhe në Nevada me 22657 vota (me 87% të votave të numëruara).
Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet, me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska, merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë./Opinion.al