Presidenti Donald Trump ka humbur avantazhin ndaj kandidatit demokrat, Joe Biden në Uiskonsin dhe Miçigan dhe kjo gjë duket se ka vënë nën presion kampin republikan.
Presidenti ka postuar sërish në Twitter duke vënë në dyshim votat e dërguara me postë ndërkohë që statusi i tij është shenjuar nga rrjeti social se përmban informacion të paverifikuar.
Trump shkruan se ai po udhëhiqte në shumicën e shteteve gjatë natës por tani avantazhi po zhduket “si me magji” shkruan ai.
“Mbrëmjen e djeshme isha ne krye ne disa shtete, shpesh edhe në mënyrë shumë solide, e thuajse në të gjitha zonat që kontrollonin demokratet. Pastaj, njëra pas tjetrës, nisën të zhduken si me magji teksa numëroheshin vota surprizë. Shumë e çuditshme; ata që bëjnë sondazhe e kanë kuptuar krejtësisht dhe historikisht gabim”, ka shkruar presidenti.
Për momentin, Biden është në avantazh me vota popullore me një diferencë prej rreth 2 milionë, një situatë e ngjashme kjo me zgjedhjet e kaluara kur një kryesim të ngjashëm mbajti deri në fund edhe sfidantja e atëhershme e republikanit, Hillary Clinton.
“Nuk është as detyra ime e as e Trumpit të vendosëm se kush i fiton zgjedhjet. Kjo i takon popullit, por jam optimist për rezultatin”, deklaroi Biden duke shtuar se çdo votë do të numërohet./ Opinion.al