Home KRYESORE A do të ishim këtu ku jemi sot, 30 vjet më pas,...

A do të ishim këtu ku jemi sot, 30 vjet më pas, nëse do të kishim bërë “Nyrembergun” kundër atyre që urdhëruan dhe kryen krimet e diktaturës komuniste?

Nga Kastriot Çipi

Në tregimin “Prifti përgjigjet”, shkrimtari gjerman Maks fon der Gryn, rrëfen një histori të çuditshme. Një ish-kam përqëndrimi është kthyer në muze. Prifti, që shërbente në atë kamp në kohën e luftës, tani është ciceron. Duke u paraqitur turistëve kuriozitetet e kampit, prifti-ciceron ndalet para një pikture, që paraqet një të burgosur, që godet me kamzhik një të burgosur tjetër dhe komenton se piktura tregon të vërtetën historike.

Turistët bëjnë fotografi dhe mbajnë vesh, në heshtje. Por një djalosh bërtet: “Mos ia vini veshin atij! Ashtu si gënjen ai është e tmerrshme!” Djaloshi bën përpara dhe “merr në pyetje” priftin.

  • Pra, ju thoni se, në këtë kamp, të burgosurit kanë torturuar njëri-tjetrin?
  • Po, këtë tregon piktura.
  • Ky i burgosur që mban kamzhikun, a do ta godiste shokun e tij, sikur të mos kishte pas vetes një ushtar me automatik në dorë?
  • Ndoshta jo…
  • Vazhdojmë më tej. Po ushtari, a do t’ia drejtonte automatikun të burgosurit, nëse mbi të nuk do të ishin eprorët që jepnin urdhra dhe mbi ata, një sistem çnjerëzor që e përbuzte njeriun?
  • Në fakt, kjo qëndron…
    Ky tregim m’u kujtua sot, ndërsa lexova një status, të avokates dhe aktivistes qytetare Brizida Gjikondi, sipas së cilës tragjedia e vrasjes së një 25 vjeçari, nga policia. Zonja Gjikondi bënte thirrje për mospolitizim të ngjarjes dhe shikimin e saj thjesht si një veprim me përgjegjësi individuale.
    Si personazhi i Maks fon der Grynit, dua ta pyes publikisht zonjën Gjikondi:
  1. A do të kishte pasur punë policia me djaloshin fatkeq, nëse policët nuk do të kishin marrë urdhrin e jashtëligjshëm, pa asnjë alibi ligjore pas 2 dhjetorit, për të zbatuar shtetrrethimin pas orës 22?
  2. A do të kishte ikur me vrap djaloshi fatkeq, nëse policia nuk do ta kishte bërë zakon shoqërimin e kundraligjshëm në polici të personave që kapen në rrugë pas orës 22, shpesh edhe duke i rrahur, në rrugë, në makinë e në qelitë e komisariateve, gjithmonë me kamera trupi dhe komisariati të fikura?
  3. A do të kishte ikur me vrap djaloshi fatkeq, nëse në këtë vend do të funksionin gjykatat, që do të ndëshkonin policët për “heqje të paligjshme të lirisë”, e “torturë” dhe “trajtim çnjerëzor”?
  4. Çfarë garancie ka një qytetar i vetëm, pas mesnate, që policia siç “gjen” një revole në rrugë, pasi e ka vrarë, nuk e “gjen” revolen gjatë “kontrollit” në trupin e qytetarit, që i bindet urdhrit për ndalim?
  5. A do të kishte kurajë polici të përdorte armën kundër një qytetari, që dyshohej se kishte shkelur një urdhër administrativ, nëse shefat e tij nuk do të kishin mbrojtur pesë policë, që rrahën një fëmijë në mes të ditës, para kamerave?
  6. A do të guxonte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të jepte urdhra të jashtëligjshëm për zbatim shtetrrethimi, nëse nuk do të ndihej i mbrojtur nga Ministri i Brendshëm?
  7. A do të guxonte Ministri i Brendshëm të urdhëronte policinë të lëshohet rrugëve si tufa qensh të tërbuar, kundër qytetarëve pa maskë e të kapur në rrugë pas orës 22, nëse nuk do të mbrohej pa kushte nga Kryeministri?
  8. A do të guxonte Kryeministri të nxirrte VKM të paligjshme dhe urdhra gojorë nga profili i tij në Facebook, nëse do të trembej nga votëbesimi në Kuvend?
  9. A do të guxonin deputetët të miratonin Akte Normative anti-kushtetues nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese?
  10. A do të ishim pa Gjykatë Kushtetuese sot, nëse të gjitha partitë parlamentare nuk do të ishin marioneta në duart e Sorosit, të lidhura me fijet e ambasadorëve të SHBA e BE?
    E fundit, por jo për nga rëndësia: A do të ishim këtu ku jemi sot, 30 vjet më pas, nëse do të kishim bërë “Nyrembergun” kundër atyre që urdhëruan dhe kryen krimet e diktaturës komuniste?
Share: