Home Gjeo-Ekonomia Ç’është Vula e Udhëtimeve të Sigurta dhe përse i duhet Shqipërisë dhe...

Ç’është Vula e Udhëtimeve të Sigurta dhe përse i duhet Shqipërisë dhe Kosovës

Nga Dr. Enriko Ceko

Në datën 1 Dhjetor 2020, në të gjithë botën ka patur rreth 63.5 milionë raste të prekjes së qytetarëve nga COVID – 19, 43 milionë të shëruar dhe rreth 1.500,000 viktima, ndërsa në Ballkanin Perëndimor rreth 436.847 raste, 188.441 të shëruar dhe 8.301 raste të humbjes së jetës.

Ajo që kemi mësuar rreth COVID – 19 është se me një udhëheqje të fortë, strategji të qarta, popullsi të angazhuar, të fuqizuar dhe të mbështetur, mund të rikthejmë gjendjen e përpara pandemisë si dhe për të patur edhe përmirësime të mëtejshme.

Në lidhje me ekonominë në përgjithësi dhe me sektorin e turizmit në veçanti, gjendemi në një moment kur planet kombëtare të rimëkëmbjes ekonomike dhe strategjitë e zhvillimit të sektorit të turizmit nuk janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur një sfide të tillë.

Edhe pse këshillohet dhe zbatohet marrja e masave të tilla si (1) distancim fizik, (2) larje e duarve, (3) veshje e maskave, (4) kollitje dhe teshtitje e sigurt larg të tjerëve, (5) shmangie e turmave dhe (6) mbajtje e dritareve dhe dyerve të hapura, etj, për të (a) fituar besimin e udhëtarëve dhe turistëve, (b) hequr pengesat, (c) rikuperuar dëmet në sektorin e turizmit dhe (d) rifilluar punën në sezonin që vjen, është thelbësore të aplikohen politika dhe të garantohet siguri për të lehtësuar udhëtimet e brendshme dhe ndërkombëtare.

Sa më lart, nuk është kurrë vonë për të përhapur praktika të mira suksesi në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe protokollet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetsisë (OBSH), Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC), Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), etj.

Për ekonomitë që aplikojnë këto protokolle WTTC jep vulën Safe Travel Stamp (Vula e Udhëtimeve të Sigurta), që lejon udhëtarët dhe palët e tjera të interesuara të udhëtimit dhe turizmit, të dinë se cilat janë autoritetet e destinacionit dhe kompanitë në të gjithë botën që kanë zbatuar protokollet e shëndetit dhe higjienës, në përputhje me Protokollet e Udhëtimeve të Sigurta të WTTC.

Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar individualisht disa protokolle, si për hotelet, baret dhe restorantet, etj, si dhe disa udhëzime dhe doracakë, ku Shqipëria dhe Mali i Zi kanë qenë në pararojë, përsëri asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor individualisht nuk është në gjedje të përballojë konkurrencën e madhe që do ketë në botë pas hapjes së ekonomive me largimin apo me vënien nën kontroll të pandemisë, sepse turizmi është sektori i parë që do ketë kërkesë dhe ofertë të madhe pas kalimit të pandemisë, por duhet që të jemi të përgatitur për këtë.

Për këtë arsye, është e udhës që protokollet e WTTC të miratohen dhe të aplikohen në mënyrë të unifikuar në të tëra ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që udhëtarët të shikojnë të gjithë rajonin si të sigurt dhe për këtë arsye të shikojnë si të sigurt edhe çdo vend të këtij rajoni, Shqipërinë dhe Kosovën përfshirë. WTTC deri tani ka zhvilluar 12 protokolle, që edhe pse janë zhvilluar për shkak të COVID – 19, janë të vlefshme edhe në raste të tjera të pandemive të tjera mundëshme në të ardhmen. Këto protokolle kanë të bëjnë me hotelet, aeroportet, lundrimin, operatorët turistikë, makinat me qera, mbledhjet dhe konferencat, turizmin e aventurës, etj.

Këto protokolle të unifikuara ofrojnë një kornizë të strukturuar të sistemeve të manaxhimit të sigurisë dhe për këto çdo vend aplikon në WTTC për të marrë të drejtën e përdorimit të vulës Safe Travel Stamp, në rast se aplikon këto protokolle. Safe Travel Stamp (Vula e Udhëtimeve të Sigurta) nuk tregon nëse në një vend apo rajon ka apo nuk ka virus COVID-19, por kjo tregon se në atë vend zbatohen protokollet e unifikuara që garantojnë se zbatohen rregulla, procedura dhe procese që nuk lejojnë përhapjen e virusit, pasi në fakt është përgjegjësi e qeverive dhe operatorëve turistikë që të sigurojnë zbatimin e protokolleve.

Përfitimet nga pasja e protokolleve të WTTC është se aplikohet (1) një vulë e e njohur ndërkombëtarisht, (2) vula është sinjal i rëndësishëm dhe i fuqishëm për udhëtarët, punëtorët dhe palët e tjera të interesit në sektor dhe tregon se ekziston një qasje e qëndrueshme globale (3) përdorimi i vulës shërben për të rindërtuar besimin midis udhëtarëve dhe brenda sektorit, në mënyrë që “udhëtimet e sigurta” të mund të shijohen ndërsa lehtësohen kufizimet, (4) logo e bizneseve që aplikojnë këto protokolle shfaqet automatikisht në faqen e internetit të WTTC, (5) është sinjal pozitiv për udhëtarët, është vulë e njohur ndërkombëtarisht, ndërton konfidencë, etj. Për marrejn e Vulës së Udhëtimeve të Sigurta (Sate Travel Stamp) nuk ka kosto.

Në lidhje me Ballkanin Perëndimor duhet të theksohet se bashkëpunimi midis ekonomive tona është jetik për të gjithë ne dhe një nga sektorët ku mund dhe duhet të bashkëpunojmë është sektori i turizmit, që për situatën aktuale kërkon që masat shëndetësore të zbatohen në mënyrë të unifikuar.

Në rajon, Mali i Zi e ka marrë vulën e udhëtimeve të sigurta dhe edhe Kosova dhe Bosnje Herxegovina po punojnë për t’a marrë atë sa më shpejt.

Në Shqipëri mbetet që autoritetet të aplikojnë sa më shpejt, pasi koha deri në sezonin e pranverës, kur mendohet se do ketë një hapje të udhëtimeve ndërkombëtare është shumë e afërt, si dhe është mirë që edhe për udhëtimet brenda vendit për vetë ne shqiptarët të ketë siguri dhe garanci për këtë çështje. Edhe nëse supozojmë se nuk do kemi mundësi që të lejojmë udhëtimet ndërkombëtare, përsëri, ashtu si në verën e vitit 2020, të kemi mundësi të bëjmë turizëm brenda vendit.

Tashmë është pikërisht koha më e përshtatshme që të operojmë në përputhje me protokollet e WTTC për udhëtimet dhe turizmin si dhe koha që ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të ecin së bashku kryesisht në sektorët me interest të përbashkët, ku turizmi duket se është parësor.

Share: