Nga Gladiola Jorbus
Nëse përmendim togfjalëshin letërsi greke, padyshim që do të na vijnë ndër mend emra të tillë si: Eskili, Homeri, Sofokliu, Euripidi etj.
Por kjo letërsi nuk mund të kufizohet vetëm me autorët antikë. Shumë zëra të tjerë spikasin në letërsinë bashkëkohore. Njëri ndër ta, më se i mirënjohur dhe i dashur për miqtë e librit është ai i Lena Mandës.
Subjektet e romaneve të saj të tundojnë dhe nuk të lënë aspak indiferent. Personazhet rravgojnë në kërkim të lumturisë dhe lexuesit nuk mund të mos i vijë keq për ta.
Lena Manda rrëfen se sa tradicionale, paragjykuese dhe konservatore tregohet ndonjëherë shoqëria kundrejt gjinisë femërore e dëshirave të saj. Ajo përshkruan gruan greke me virtytet, hijeshinë, dyshimet, pasiguritë dhe sfidat e saj.
Autorja paraqet perceptimin e saj të mprehtë në zemrën e njeriut duke nxjerrë në pah antagonizmin bukuri – shëmti, të vendosur në udhëkryqin ku pikëtakohen detyrimet morale, epshi seksual dhe vullneti për të mposhtur çdo vështirësi.
Vajzat dhe gratë e reja mbajnë mbi supe peshën e tragjedisë, për shkak të ambicies apo përmbushjes së instikteve të tyre të cekëta. Gjithsesi shkrimtarja nuk i gjykon, por përshkruan me finesë vendimet e tyre dritëshkurtra, spontane, që derivojnë në finale tejet prekëse.
Gjithashtu teksa shfletojmë romanet e autores, ndiejmë se mund të prekim tokën ku zhvillohen ngjarjet; herë në Athinë, Selanik apo Korfuz dhe herë zhvendosemi në Stamboll (vendlindja e shkrimtares), apo në peizazhet e bukura të ishujve grekë.
Në narrativën e saj evidentojmë beteja shoqërore si varfëria e deri te persekutimi i grekëve. Aty gjejmë ndjenja, saga familjare, etje për liri, peripeci, tension, agoni, pasion e humbje, aq sa vetë autorja shprehet se: ‘…kur ëndrrat tradhtohen, lëndohesh shumë”.
Lena Manda ka një stil të këndshëm e të butë tregimtar, ku trillimi mplekset me realitetin në bashkëkohësi e në retrospektivë.
Proza delikate dhe fluide trazon komoditetin, klishetë, tërësinë e parimeve që ka standardizuar shoqëria.
Lexuesi udhëton në kërkim të përgjigjeve, të përvojave që formësojnë personazhet, të mendimeve, të egoizmit, të dilemave të jetës dhe të dashurisë që shpeshherë konsiderohet luks, sepse kërkon hapësirë e kohë për të lulëzuar.
Lena Manda na ofron një dehje marramendëse teksa lexojmë, vuajmë, qajmë, qeshim, fitojmë, gabojmë, distilojmë shpirtin së bashku me personazhet, sytë e të cilëve shprehin më shumë se fjalët. Dhembja e tyre mbinjerëzore bëhet memece, kurse heshtja bën zhurmë dhe këlthet.
Në veprat e saj ne hasim konceptin dhe vlerën e faljes, e cila imponon forcë të madhe për t’u kërkuar, dhe fisnikëri për t’u pranuar. Të dyja këto veprime kongruente paralelizohen me kohën që për fat të keq s’kthehet dot pas.
Edhe pse Lena Manda ka marrë kritika të ashpra e komente nënçmuese për romanet e saj, përsëri audienca e ka mbështetur duke e shndërruar në shkrimtaren bestseller greke.
Ajo numëron 2 milion kopje të shitura, teksa librat e saj kanë ndërmarrë një karrierë ndërkombëtare duke u përkthyer në anglisht, turqisht, italisht, spanjisht, shqip etj.
Ajo është profesionistja që di të flasë me njerëzit përmes penës së saj të artë dhe ka ditur të depërtojë në shumë biblioteka.
Rrëfimi i L. Mandës është i rrjedhshëm, bindës e empatik, ndërsa dialogët janë të thjeshtë e linearë. Prandaj librat e saj të rrëmbejnë (kryesisht publikun femëror), dhe lexuesi lundron në epoka të ndryshme, nga vitet ’20, ‘40’, ’70 e deri në vitet 2000.
Shkrimtarja e talentuar trajton çështje si emigrimi, mikpritja, tradhtia, trazirat e Stambollit (6 – 7 shtator 1955), dhe ndërkohë transmeton emocione të ndjeshme që shtillen midis kuzhinës turke e traditave greke, në kafenë mbi rërë të nxehtë, në glikotë me petale trëndafili apo në aromën e fortë të kanellës.
Në gjuhën shqipe janë përkthyer romanet: ‘Theanoja Ujkonja e Stambollit’. ‘Pesë motrat dhe shtëpia buzë lumit’, ‘Cigarja e fundit’, ‘Emri im është Dada’, ‘Një kafe… në rërë të nxehtë’ , ‘Dashuri që lag si shi’ të autores greke Lena Manda.