Home KRYESORE Protesta për Klodian Rashën, Policia: 4 të arrestuar e 46 të proceduar

Protesta për Klodian Rashën, Policia: 4 të arrestuar e 46 të proceduar

Policia ka arrestuar 4 persona dhe ka proceduar në gjendje të lirë 46 të tjerë në ditën e pestë të protestës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie më 8 dhjetor.

Të arrestuarit dhe të proceduarit akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës ” , ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.

Për protestën e djeshme Policia thotë se “në Sheshin “Skenderbej” nisi një tubim i paligjshëm, i cili vazhdoi më pas në drejtim të godinës së Kryeministrisë, në afërsi të DVP Tiranë, në drejtim të “Bllokut” dhe disa më pas të ndarë me grupe janë kthyer sërisht në Sheshin “Skëndërbej” dhe duke vazhduar më tej në rrugën e Durrësit, rrugën “Dritan Hoxha” dhe Sheshit Shqiponja, ku kanë dëmtuar gjatë rrugës së përshkruar kazanët e mbeturinave, sinjastikën rrugore, reklamat e bashkisë dhe vendstacionet e mjeteve të transportit publik.”

Po ashtu, autoritetet shprehen se aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private.

Qytetarët vijojnë protestat dhe pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ata kërkojnë largimin e Drejtorit të Policisë, Ardi Veliu si dhe reformim të Policisë së Shtetit./ Opinion.al

Share: