Home KRYESORE Refleksion “Për shovinizmin mashkullor në ekranet tona”

Refleksion “Për shovinizmin mashkullor në ekranet tona”

Për fjalët e rreshtave të bardha! Nga Flutura Acka


Duke parë reagimin, diku-diku edhe të nxituar dhe me citime jashtë kontekstit, më duhet të bëj disa plotësime mbi artikullin “Për shovinizmin mashkullor në ekranet tona”, të cilat, për shkak se në një kolonë është e kursye në fjalë, nuk munda t’i përfshij ose t’i shtrij sa duhet.

Kur fola për trenin feminist që ne e kemi humbur, e kisha fjalën për kohën kur ndodhi “revolucioni feminit” në Europë dhe botë, dhe jo për ideologjinë, pasi sipas meje feminizmi është një perpetuum mobile i njerëzimit, dhe duam s’duam jemi pjesë e tij sa kohë marrim lapsin të shkruajmë. Atë kohë kur ndodhi kjo ne ishim të izoluar, nën diktaturë, ndaj nuk u përfshimë në atë valë që vendosi piketat e një shoqërie demokratike, ku gruaja është grua dhe burri burrë dhe nuk ndeshen për të ndërruar vend dhe as kosisin njëri-tjetrin, ku kanë lirinë thaujse të plotë mbi trupin, mbi seksin, mbi fjalën dhe sjelljen e tyre, deri te liria e tjetrit, e cila është e shenjtë dhe nuk preket.

Kur fola se nuk jam shkrimtare feministe, doja të thoja se kur shkruaj nuk pozicionohem në gjini, sepse kjo do të ma cënojë neutralitetin gjinor të tekstit. Kur ka qenë koha, gratë e kanë bërë (“Seksi i dytë”, “Bllokshënimi i artë”, etj) dhe vazhdojnë ta bëjnë në rrethana të caktuara. E kam bërë edhe unë deri-diku me “Kukullat…” ose me “Biri”, dhe me librat e mi në përgjithësi. Arsyet pse nuk e ndiej veten tërësisht të tillë, mund të vijnë edhe nga rrethanat e jetës sime, nga mjedisi ku jam rritur dhe ku kam vepruar, nga qasja personale ndaj lëvizjes feministe, si e vonuar, dhe në një përqindje të vogël të saj, edhe asgjësuese ndaj seksit tjetër. Por mund të ndodhë që një shkrimi im lëviz po aq ujëra feministe sa pankartat e protestave, kështu që jemi në një valë shqetësimi të përbashkët.

Kur fola për gratë shqiptare dhe i quajta “shqiptarkat”, e përdora si term më feminil, më ajror, më çapkën, si të thuash përdora një gjuhë prej shkrimtareje dhe larg ngurtësisë që do ndonjëherë gjuha mediatiatike. Në romanin tim “Kryqi i harresës” (i botuar dhe lexuar shumë edhe në gjuhën holandeze) unë them për gratë holandeze “Holandezkat”, por nuk kam parë asnjë lexues të mërzitur nga ky term. A nuk na ndodh që kur themi “korçarka” të na vijë në mend një grua e gjallë, plot ngjyra, që bie era ujë, që na kujton mirësinë dhe plotërinë e gjinisë së saj?

Kur fola për “kominoshet”, nuk e kisha për anën estetike të gjërave, dhe as ia kisha ngatërruar vendin atyre në skakierën (historike) të veshjeve tona mes benevrekëve dhe tangave. Kisha në mendje imazhin e gruas me kazëm dhe kominoshe të klishesë më të përhapur në posterat e socializmit; me forcën e saj ajo i imponohej figurës së mjekes, aktores, dijetares, fshesares dhe çdo gruaje tjetër në laryshinë e gjindjes sonë shoqërore. Ajo ishte modeli i emancipimit, por sipas meje ajo nuk mundi t’i përqafësonte dot të gjitha.

E fundit, dhe më e rëndësishmja:

Kur fola për zonja të medias dhe politikës, dhe jo vetëm, të lënduara nga “dhuna verbale” në ekrane e shkrime duhet të kisha përmenduar një radhë më të gjatë zonjash, dhe prapë e di se lista ime do të ishte e paplotë.

Pak ditë më parë në faqen e parë të një gazete letrare u fye gazetarja Elsa Demo dhe kolegia e saj poete me terma ekstraletrarë, kur debati ishte partërtisht letrar, dhe duhet të mbetej deri në fund letrar, qoftë edhe debat ku debatuesve nuk u përputhen kurrë termat. Apo gazetaret Klodiana Lala, Ambrosia Meta, Fatjona Mejdini. Një gazetare që na ndihmoi të zbulonim përbërjen e “mbërtheckave” të ministrave, u zhduk nga sytë këmbët. Ka shumë, mjafton të rrëfej historinë time personale me baltatriçen shqiptare, për t’ju dhënë shembullin e dhunës mbi shpinën time.

A kam unë “kufizime” në shkrimin tim të djeshëm, patjetër që po, por ka më shumë “çlirime”.

Share: