Home KRYESORE Dorëzohen në Senat akuzat kundër Trump

Dorëzohen në Senat akuzat kundër Trump

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara paraqet të hënën zyrtarisht akuzën ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi gjatë fjalimit para përkrahësve të tij në 6 janar, përpara sulmit në Kapitol.

Nëntë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që do të shërbejnë si prokurorë, do të kalojnë të hënën në mbrëmje përmes ndërtesës ku qindra mbështetës të zotit Trump u përplasën me policinë, duke lënë pesë të vdekur, për të dorëzuar akuzën në Senat, ku do të zhvillohet gjyqi ndaj ish-presidentit.

Një ritual i ngjashëm u krye për gjyqin e parë ndaj zotit Trump janarin e kaluar.

Ai është i vetmi president i Shteteve të Bashkuara i akuzuar dy herë për t’u shkarkuar nga detyra dhe i pari që do të përballet me gjyqin, pas largimit nga detyra. Nëse Senati e shpall fajtor, kjo mund të rezultojë në një votë për t’i ndaluar atij mbajtjen e një posti zyrtar në të ardhmen.

Udhëheqësit e Senatit, që është i ndarë 50-50 mes dy partive, po ku demokratët sigurojnë shumicën falë votës së nënpresidentes Kamala Harris, kanë rënë dakord të mos fillojnë gjyqin deri më 9 shkurt. Kjo i jep ish-presidentit Trump më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen dhe i jep mundësi Senatit të përqendrohet në konfirmimet e anëtarëve të Kabinetit.

Pas një fushate dymujore pretendimesh pa prova se kishte fituar në zgjedhje, zoti Trump më 6 janar u bëri thirrje përkrahësve të tij të “luftonin” për të përmbysur rezultatin. Më pas një turmë shkoi në Kapitol, duke detyruar ligjvënësit të ndërprisnin senacën, të fshiheshin në mjedise të sigurta dhe të shtynin për disa orë çertifikimin e fitores së zotit Biden.

Dhjetë anëtarë republikanët të Dhomës së Përfaqësuesve u bashkuan me Demokratët në votimin për ta akuzuar zotin Trump. Demokratët e Senatit do të kenë nevojë për mbështetjen e 7 Republikanëve për ta dënuar atë, një objektiv i vështirë për t’u realizuar, duke pasur parasysh popullaritetin e vazhdueshëm të zotit Trump me votuesit republikanë.

Sipas një sondazhi të agjencisë Reuters / Ipsos të premten 51% e amerikanëve mendojnë se Senati duhet ta shpallë fajtor ish-Presidentin Trump. Kjo ndarje përputhet me përkatësinë partiake të të anketuarve, nga të cilët më pak se dy ndër 10 republikanë që bien dakord me këtë pohim.

Republikanë të shumtë, përfshirë udhëheqësin e tyre në Senat, Mitch McConnell, e kanë dënuar dhunën dhe e kanë kritikuar zotin Trump për nxitjen e saj./VOA

Share: