Petrit Zorba, meteorolog në IGJEUM ka ngritur shqetësimin për “rrezikun” që i kanoset vendit pas reshjeve të dëborës e cila me shkrirjen e saj do sjellë një situatë akoma më kaotike sa i përket përmbytjeve. Zorba u shpreh se Shkodra do të jetë e prekur nga reshjet deri në datë 23 Janar.
“Vëmendja kryesore duhet të jetë pikërisht në Shkodër. Deri në datë 23 Janar Shkodra do preket nga reshje shiu. Duke qenë se pavarësisht nga ulja e temperaturave, ne kemi reshje dëbore në zonat malore. Këto me ringritjen e temperaturave sjellin rrjedhje dhe i bashkohen pikërisht reshjeve”, tha Zorba.
Zorba u ndal edhe tek alarmi i meteorologëve të huaj se stuhia Filomena do të godasë Shqipërinë. Ai vlerësoi se Ballkani ka një reliev të thyer duke bërë që këto dukuri të “shkërmoqen” deri sa mbërrijnë në vendin tonë.
“Territori i vendit tonë ka qenë në periferi të këtyre situatave. Kjo situatë nga Spanja deri në Shqipëri degradon derisa vjen në Shqipëri. Duke qenë se Ballkani ka një reliev të thyer, këto dukuri shkërmoqen dhe kur vijnë në vendin tonë shfaqin shenja më të vogla.
Karakteristikë e dimrit dhe e pranverës janë temperaturat më të larta mbi normë. Pjesa e Europës veriperëndimore në këtë dimër parashikohet të ketë më shumë reshje bore, pjesa lindore predispozohet për të pasur temperatura më të larta. Ne jemi në pjesën skajore të këtyre ndikimeve”, përfundoi Zorba./mv.abcnews.al