Home Gjeo-Ekonomia Pandemia “zbraz” xhepat e qytetarëve shqiptarë gjatë 2020

Pandemia “zbraz” xhepat e qytetarëve shqiptarë gjatë 2020

Nga Erblina Mile

Financat e familjeve shqiptare janë dëmtuar rëndë  nga pandemia gjatë 2020. Rritja e numrit të papunëve si dhe ulja e pagave për shkak të kufizimeve ka bërë që qytetarët  të pësojnë një rënie të konsiderueshme të ardhurave për frymë në një vit.

Të dhënat e ministrisë së financave në kuadrin makroekonomik 2022-2024  tregojnë se të ardhurat për banor  kanë pësuar një ulje me 323 euro nëse e krahasojmë me një vit më parë. Gjatë 2020 një qytetar shqiptar ka  pasur një nivel të ardhurash prej 4 mijë 459 euro  ndërsa në 2019 ky nivel ka qenë 4 mijë 782 euro. Sipas vlerësimeve të financave, shqetësues mbetet edhe fakti që të ardhurat në xhepat e qytetarëve gjatë këtij viti nuk parashikohet të rritet më shumë se në 2019.

Ndërkohë  që rritja reale e të ardhurave për banor parashikohet të nisë vetëm në 2022. Konsumi privat parashikohet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Dy sektorët që parashikohet të japin kontribut kryesor në rimëkëmbjen e ekonomisë do  të  jenë industria ,shërbimet dhe më pas ndërtimi ndërkohë që impakti i sektorit bujqësor parashikohet  të jetë i vogël.

Pas recensionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4.4 për qind, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021. Rritja ekonomike sipas ministrisë së financave  parashikohet në 5.5 për qind në vitin 2021 dhe parashikohet mesatarisht rreth 4.4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2022–2024. Pandemia rrënoi edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.Referuar të dhënave të ardhurat për vitin 2020 ishin 3.4 miliardë euro, nga 4.1 miliardë euro që u planifikuan  në ligjin fillestar për buxhetin e shtetit, me një rënie prej më shumë se 689.5 milionë euro.

Të ardhurat për banor në vit:

2018                    4.472 euro

2019                    4.782 euro

2020                    4.459 euro

2021                    4.782 euro

2022                    5.137 euro

Rritja ekonomike:

2020    -4.4%

2021     5.5%

2022     4.8 %

2023     4.5%

Share: