Home KRYESORE Rudina Hajdari me parti të re politike, ja me kë do të...

Rudina Hajdari me parti të re politike, ja me kë do të bashkëpunojë

Deputetja Rudina Hajdari paralajmëron se do të krijojë një parti të re politike duke shuar kështu zërat se ajo do të jetë pjesë e partisë së re të Myslym Murrizit.

Në një prononcim për mediat, Hajdari u shpreh se nuk do të jetë pjesë e partisë së zotit Murrizi por do të bashkohet me nismën thurje për t’i dhënë shqiptarëve një ofertë të re politike.

“Koha e partive prona te individëve, sikur te ishin biznese private ka përfunduar. Hidhini një sy partive të vjetra. I kane braktisur totalisht qytetaret dhe funksionojnë si biznese private të familjeve që i drejtojnë. Vendi sot nuk ka parti, por ka disa ndërmarrje te cilat kane rezultuar fitimprurëse vetëm për një grusht njerëzish, ne kurriz te taksave dhe pasurive te shqiptareve. Nuk mund ti konkurrosh këto shpk te mëdha me shpk te reja me te vogla. Nuk është ky synimi ynë. Ne duam qe për here te pare te ndërtojmë nje subjekt politik i cili është totalisht ne pronësi te publikut dhe nuk i shërben një njeriu, apo pak njerëzve, por te gjithë shqiptareve. Pra përgjigja ime është jo, nuk do te jem pjese e partisë se zotit Murrizi. Nuk jam unë e vetmja qe po eci ne ketë drejtim. Edhe te tjerë intelektuale kane nisur te njëjtin aksion, siç është Nisma Thurje, dhe rrugët tona do bashkohen për ti dhëne qytetareve shqiptare për here te pare një oferte politike e cila synon ta ktheje Shqipërinë ne një vend te jetueshëm dhe te lakmuar nga te gjithë.”, thotë në prononcimin e saj deputetja Hajdari.

Kujtojmë se brenda grupit parlamentar demokrat në parlament pati një krisje e cila kulmoi me zëvendësimin e Rudina Hajdarit si kryetare grupi, me Myslym Murrizin.

Ky i fundit pritet të jetë pjesë e një formacioni të ri politik të quajtur Lëvizja e Re Demokrate e cila është njoftuar në rrjetet sociale nga deputeti Halit Valteri.

Deputetja Hajdari ka gjetur gjuhën e përbashkët në të shkuarën me Nismën Thurje përsa i përket kauzës së saj për hapjen e listave dhe aplikimin e një sistemi të ngjashëm me atë të Danimarkës.

Bazuar në deklaratën e deputetes, ajo dhe aktivitet e nismës tashmë duket se do të prezantojnë një ofertë politike konkrete me të cilën do të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2021. /Opinion.al

Share: