Nga Flutura Açka
Qeveria holandeze pritet nga minuta në minutë të shpallë dorëheqjen. Ende pa u hequr zbukurimet e kapërcyellit të viteve, përgjegjësia morale dhe ligji, e ka vënë para përgjegjësisë. Edhe pse kryeministri Rutte u shpall nëpër popull si heroi i kohërave të vështira të Covid-19, asgjë nuk e mbrojti dot para së drejtës njerëzore dhe drejtësisë shtetërore.
Gjithçka nisi me një komision hetimor që investigoi mbi një lëngatë financiare që pësuan mbi 30 mijë familje holandeze, në krye prej një gabimi të thjeshtë adminisrativ e që u kthye në rrënuesin e jetëve të mbi 80 mijë fëmijëve, që sot u shpallën publikisht “brez i humbur”. Akti administrativ i dikurshëm para së gjithash cënonte thelbin e shtetit holandez, të qenit një shtet social, term disi bezdisës më së shumti për qeverira që vijnë në pushtet me mbështjetje të koorporatave të mëdha dhe si përfaqësues të grupeve të bisnezit, për të cilët qytetari i thjeshtë shpesh është “dele”.
Tani do të fillojë konferenca e shtypit, dhe edhe pse së afërmi janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare (më 17 mars), çështja e qytetarëve holandezë sot nuk është ikja e kësaj shpure, por frika e qarkullimit të tyre sërish në skenën politike, edhe pse duket se dorëheqja eshtë një kapak floriri.
Jo, çështja është a do të mbajnë përgjegjësi deri në fund keqbërësit me pushtet, si e do loja e demokracisë, ku je i zgjedhur edhe për të dhënë llogari? A do të ndëshkohen?
I shoh se si përpëliten ekraneve me justifikimin e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh, dhe mendoj Shqipërinë tonë. Dhe kam trishtim.
Çfarë duhet më shumë për të hequr këtë klasë politike që po na e ndryshon ADN-në, e ndihmuar fuqishëm nga media terësisht e kompromentuar, thellësisht e inkriminuar me milionat qeveritare (me disa përjashtime, natyrisht)? Si mund të durojmë më kur:
-Të gjithë e dime së Tire Alldervishi është thoi i paprerë i një mega-allishverishi. Kurrë ndonjëherë në njëqind vite shtet nuk është bërë biznes me vdekjen, si këtë herë me Covidin. Të gjithë kemi fakte, të gjithë flasim kafeneve, por nuk denoncojmë. Ka përjashtime për njerëz e ndershëm, por po flasim për të tërën.
-Kurrë ndonjëherë nuk e kemi parë Shqipërinë kaq të pashtet, pa parlament, pa gjykata, pa kadastra, pa administratë. Ne jemi një shtet pa shëndet fizik e mental.
-Kurrë ndonjëherë nuk kemi parë fusha me kanabis sa vitet e fundit nëpër Shqipëri që na ktheu në Kolumbinë e Europës.
-Kurrë ndonjëherë nuk kemi parë bulizëm, fyerje publike, diskrimin të shqiptarëve veri e jug nga shteti i vet, siç ka ndodhur në mënyrë sistematike vitet e fundit.
-Kurrë ndonjëherë nuk kemi parë një makineri të tillë të pështirë dhe të egër publiciteti, që është në fakt oligarku ynë më i madh. Shumat që na shkojnë për PPP-në e Publicitetit nuk ka bilanc që t’i përfshijë.
-Kurrë ndonjëherë nuk kemi parë ministra më arrogantë, më lëpirës, më të fshehtë dhe më të pangopur se sot.
-Kurrë nuk kemi parë media kaq të përulur sa sot.
-Kurrë nuk kemi parë një Tiranë më të ngulfatur se sa sot.
Përmenda vetëm disa, se është listë shumë e gjatë. Po ç’them, vetëm darka e florinjtë do të kishte mjaftuar për t’u ngulur mijëra shqiptarë para kryeministrisë, deri sa të iknin pisat, duke u dhënë mësim edhe të tjerëve që do të guxonin të silleshin sërish si pisa në pushtet.
Po ku jemi ne? Ja, në mjerim të plotë, duke blerë ilaçe rrugëve privatisht e duke pritur se ndoshta Zeusi na e hedh ndonjë vaksinë e të na shpëtojë nga flama.
Po si mbërritëm deri këtu? Ja, duke e mpirë me vaksinën e durimit, durimin tonë njerëzor. Dhe e vazhdojmë ende me qejf këtë “biznes”. Gjer atëherë flama me kollare të shndritshme do të përmjerë mbi ëndrrat tona përnatë e do të zaptojë ekranet tona përditë. Edhe ajo ka biznesin e vet.
Fundjavë të mbarë, Miq!