Home KRYESORE Artan Fuga: Trajtimi shëndetësor mbi bazën e gjoja meritave akt cënimi i...

Artan Fuga: Trajtimi shëndetësor mbi bazën e gjoja meritave akt cënimi i barazisë të njerëzve përpara jetës.

Detyrim etik sqarimi

Unë vazhdoj të mendoj pa asnjë hezitim se diferencimet në trajtimin shëndetësor të njerëzve mbi bazën e gjoja meritave të tyre si personalitete do të ishte një akt cënimi i barazisë të njerëzve përpara jetës, një politikë genocidiste. Do të duhej të përballej me drejtësinë.

Por, unë nuk fyej me ato terma që disa tituj mediash gabimisht, ose me qëllim, i kanë venë komentit tim, duke shtuar fjalë që unë nuk i kam thënë kurrë. Unë asnjë të marri dhe asnjë të mënçuri nuk i them kurrë gjëra fyese qoftë ky kryeministër, apo i papunë. Nuk është në etikën time. Unë kam shkruar vetëm se nëse kjo do të zbatohej do të ishte një politikë eugjeniste. Nuk i heq asnjë presje, por vetëm kaq.

Nëse do të ndodhte shoqëria civile, opozita, Presidenti, nuk e di kush tjetër, nuk duhej të mjaftoheshin me komente, por do të duhej ta çonin këtë në gjykatën kushtetuese duke e denoncuar si një shkelje e rëndë e barazisë të njerëzve në të drejtën për të jetuar!

Po ashtu i mbetem tërësisht mendimit se kushdo që do t’i njohi vetes kompetencat të përcaktojë se kush është personalitet mbi 80 vjeçar që duhet të vaksinohet për të jetuar dhe kush le të jetë ushqim për oreksin e vdekjes, ose do të vetëpërcaktohej si personalitet që meriton të jetojë përpara të tjerëve, do të ishte një i marrë. Pra, veprimin e kësaj natyre, kushdo që do ta bënte do ta quaja veprim prej të marri, që duhej të penalizohej, kushdo të ishte mjek, profesor, akademik, lypsar, ofiqar i shtetit, kryeministër, kryetar partie, gjyqtar, etj.

Por, nuk kam shënjestruar askënd paraprakisht. Pres kush do ta marri përsipër këtë turp duke uruar të mos ketë njeri ta bëjë këtë!

Prandaj me gjithë respektin ndaj mediave, me falenderime për interesimin e tyre të vazhdueshëm për qendrimet e mia, konsideroj se tërheqja e fjalëve të mia drejt fyerjeve për këdo, në këtë rast për kryeministrin, janë një fake news.

Nuk kanë të bëjë me mua.

Falenderime!

Theksoj se ky është një sqarim personal dhe lutem mirëkuptimin tuaj se asnjë koment mbi të nuk do të botohet!

Share: