Mjekja Marsela Ceno, themeluese dhe kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, tha se sipas të dhënave jozyrtare janë të paktën 1500 mjekë nga Shqipëria që punojnë në Gjermani. Gjatë një lidhjeje në emisionin “Opinion”, ajo u shpreh se këta mjekë janë shpërngulur atje në 10 vitet e fundit.
Ceno u shpreh se shqiptarët nuk janë të parët nga mjekët e huaj atje, ndërsa pohoi se në Gjermani dominojnë mjekët nga Rumania dhe Serbia e së fundi po kthehet në trend edhe ardhja e mjekëve nga vendet e Lindjes së Mesme.
“Të parët në Gjermani janë mjekët e Rumanisë dhe Serbisë, por tashmë po shtohet edhe numri i atyre që vijnë nga Lindja e Mesme”, tha Ceno.
Pjesë nga biseda në studio
Fevziu: Eksodi i mjekëve është më i ndjeshëm dhe më i prekshëm, çfarë po ndodh me mjekët shqiptarë në Gjermani?
Ceno: Shifrat jo zyrtare flasin për 1500 mjekë shqiptarë në Gjermani, duke filluar nga viti 2010- 2011.
Fevziu: Sa mjekë ka Shqipëria për momentin?
Ceno: Unë nuk mund të them shifrën e saktë, por mund të them që çdo vit në Fakultetin e Mjekësisë diplomohen, 150-200 mjekë./Opinion.al