Ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dënuar 17 të akuzuarit si pjesëtarë të organizatës kriminale që operonte laboratorin e heroinës në Has.
“Bazuar mbi informacionet e marra nga DEA, SPAK ndoqi me sukses një organizatë kryesore kriminale, duke bërë që 17 persona të përfundojnë në burg dhe 5 milionë euro në asete të sekuestrohen. Shpresojmë që të shohim SPAK-un të arrijë më shumë rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. shprehet Kim në një postim në Twitter.
Më 1 shkurt, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar për 17 të akuzuarit e një prej fraksioneve kryesore të dosjes së famshme 339. Bëhet fjalë për anëtarë të Avdylajve të Shijakut si edhe të akuzuarit për përfshirje në laboratorin e heroinës në Brenog të Hasit./ Opinion.al