Dyshimi se një grup i mafies italiane të “Ndrangheta”-s ka pastruar para përmes lidhjeve me politikanë shqiptarë pritet të hetohet edhe në Shqipëri. Këtë e bëri me dije ambasadori italian Fabrizio Bucci gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania. Bucci tha se prokuroritë e të dyja vendeve kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm se çështja do të shqyrtohet edhe në vendin tonë dhe se në media nuk janë publikuar të gjitha përgjimet.
Pastrimi i parave dhe korrupsioni u konsideruan nga ambasadori italian si “prirje korruptive që dihej që ekzistonin” që përpara publikimit të përgjimeve rreth grupit të Luigi Mancuso-s së “Ndrangheta”-s, grup ky që në Itali po hetohet nga prokurori i Catanzaros Nicola Gratteri. Bucci e përshkroi Gratterin si “prokuror të rëndësishëm”, “serioz” dhe “shumë i aftë”.
Ambasadori u shpreh se “korrupsioni duhet luftuar pavarësisht se nga vjen dhe cilido që mund të jetë i përfshirë” duke nënkuptuar se në këtë pikë nuk ka dallim nëse të përfshirë janë edhe politikanë.
I pyetur nëse për këtë çështje ka bashkëpunim mes Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Tiranë me prokurorinë Anti-Mafia të Italisë, ambasadori Bucci kujtoi fillimisht se marrëveshja e parë e bashkëpunimit ndërkombëtar që ka firmosur SPAK, pas krijimit, ka qenë pikërisht me prokurorinë Anti-Mafia më 7 shkurt 2020.
Ai shtoi se ka një marrëdhënie të ngushtë mes prokurorit kombëtar Federico Cafiero De Raho dhe kryetarit të SPAK Arben Kraja. Thënë këtë ai vijoi duke u shprehur se ka pasur baskëpunim të ngushtë dhe se “së shpejti do të ketë zhvillime të rëndësishme”.
“Hetimi në Itali është në hapat e para, janë dhënë masat e para të sigurimit personal, janë publikuar disa përgjime sepse, në Itali, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur një prokuror akuzon persona, jep masa sigurimi personal, duhet të zbulojë faktet në bazë të të cilave bëhen këto arrestime. Pra, janë bërë publike disa përgjime, por jo të gjitha. A do të ketë të tjera? Kjo do t’u takojë dy prokurorëve sepse e marr me mend që do të ketë një vazhdimësi të hetimeve këtu dhe kjo është arsyeja për të cilën dy prokuroritë janë duke bashkëpunuar,” – tha ambasadori italian.
Duke pranuar se “fatkeqësisht korrupsioni në Shqipëri ka rrënjë të thella”, ambasadori Bucci u zotua për përkrahje dhe bashkëpunim nga ana e Italisë në mënyrë që “shqiptarët ta kuptojnë se kjo duhet të luftohet”./EuroNewsAlbania