Home KRYESORE Dosja 184/ Shit-blerja e votave, Gjykata e Dibrës çon për gjykim 4...

Dosja 184/ Shit-blerja e votave, Gjykata e Dibrës çon për gjykim 4 të pandehurit

DIBËR – Gjykata e Dibrës ka vendosur që të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe të çojë për gjykim 4 të pandehurit e dosjes 184.

Trupa e togave të zeza vendosi që 4 të akuzuarit Nuri Meda, Drini Gjeci, Robert Aga dhe Hasan Hoti të kalojnë për gjykim.

Dosja 184, e dërguar në Gjykatën e Dibrës, nga nëntë persona të hetuar, mes të cilëve ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, ka vetëm 4 të pandehur.

Kjo dosje për shit blerjen e votave në Dibër, u transferua disa herë nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe anasjellas, derisa SPAK e dërgoi atë përfundimisht në Dibër. Zvarritja e hetimit u justifikua herë pas here me numrin e madh të CD-ve të përgjimeve që duheshin transkriptuar.

Në dosjen e dërguar në gjykatë për zgjedhjet në Dibër, një nga të pandehurit është ish-shefi i Komisariatit të Policisë, Robert Aga. Ky i fundit akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi dyshohet se ka vënë punonjës të policisë në shërbim të kandidatit të majtë.

I pandehur tjetër i dosjes 184 është Nuri Mjeda, ish-administrator i njësisë administrative Tomin. Sipas prokurorisë, Mjeda ka “shpërdoruar detyrën”, duke përjashtuar nga ndihma ekonomike 39 familje, për shkak të përkatësisë së tyre partiake.

I pandehuri Hasan Hoti, ish-administratori i Lurës, akuzohet për “kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve”, pasi dyshohet se ka kërcënuar disa votues të votonin për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Ndërsa i pandehuri i katërt, Drini Gjeci, ish-Drejtori Arsimor i Dibrës, do të përballet me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “kanosjes apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve”. Sipas prokurorisë, ai ka kanosur me shkarkim nga puna mësuesit në varësi që të votonin pro kandidatit të së majtës.

Top Channel

Share: