Nga Gladiola Busulla
Fluturat vdesin në diell
Diku larg,
në Hiperborean mistike
…fluturat vdesin në diell.
Nata është tretur në ëndrra.
E zbehtë dhe përbuzëse,
errësira fshihet në skutat e shpirtit,
ku flenë historitë me lule dhe zogj,
ku struken fjalët që heshtjen trazojnë.
Tempujt e përhimë ruajnë
lutjet e shenjta.
Zotit i falesh, zhytur në gjunjë.
Drita pllakos botën.
Nuk ka më natë.
Yjet kanë humbur.
… fluturat vdesin në diell.
Bulëza vese
fërgëllojnë në bebëzat e syve.
Në sytë e tyre shfaqet një lot,
që shkëlqen mbi petalet njëngjyrëshe
të violetave emblematike.
Dita nuk i ngjan më vetes.
As natës, jo.
Diku larg,
në Hiperborean mistike,
kruspullohet hëna
dhe brerorja e saj.
Nën agoni psherëtimash,
…fluturat vdesin në diell.