Home KRYESORE Koalicion me PD? Kreu i PSD: S’ka vija të kuqe! Apeli i...

Koalicion me PD? Kreu i PSD: S’ka vija të kuqe! Apeli i SHBA për Doshin? Emocione, do ta shoh…

Nga Dylber Balla

KQZ vendosi që të pranonte dje regjistrimin e PSD-së për zgjedhjet e 25 prillit, por jo me Tom Doshin kryetar, por Engjëll Bejtjen. Deputeti i zgjedhur në qarkun e Shkodrës sqaroi arsyen se përse u bë kjo lëvizje, ndërsa sfidoi apelin e ambasadores e SHBA-së duke deklaruar se do të kandidojë në 25 prill në 4 qarqe. Por cfarë po ndodh brenda kësaj partie, cili është objektivi në 25 prill?

Për këto pyetje, por edhe për “mbylljen” e derës që i bëri PS-ja, Tom Doshit, bazuar te deklarata e ambasadores amerikane, kryetari në detyrë Engjëll Bejtja në një intervistë për Abcnews.al foli pa doreza. Referuar thirrjes së ambasadores për Tom Doshin, Bejtja duke iu përgjigjur Yuri Kim tha se “një shoqëri ndërtohet, bazohet në institucione, asnjëherë në opinione dhe emocione” duke lënë të kuptohet se ligji nuk ia ndalon rikandidimin deputetit aktual.

Por në kushtet, kur Kim kishte marrë premtimin e Edi Ramës, se Doshin përpos përjashtimit që i kishte bërë nga PS, nuk do t’i jepte asnjë rol në qeveri, cfarë do të bëjë PSD, nëse kjo forcë me numrin e deputetëve që mund të marrë do të jenë vendimtare për formimin e qeverisë së re pas 25 prillit, a e përjashton një koalicion me PD-në?

Në këtë pikë, kryetari në detyrë Engjëll Bejtja nuk vendosi vija të kuqe duke lënë gjithçka të hapur, “kurrë mos thuaj kurrë” tha ai. Gjatë intervistës, doktori i njohur foli edhe për pandeminë duke thënë se “Cdo mbyllje që do të sillte një frymëmarrje më të plotë të spitaleve do i shërbente zgjidhjes së problemit”.

Intervista e plotë për abcnews.al

A do të garoni në zgjedhje?
Statusi im është kryetar në detyrë. Gjithcka do të përcaktohet brenda afatit ligjor. Nuk jam shumë i prirur për të garuar në zgjedhje, qoftë për specifikën, jo vetëm politike, por më shumë të karakterit sanitar.

Nuk mendoni se do i jepni një dorë më shumë?
Dorën time do ta jap në cdo pozicion. Kontribute në politikë jepen në disa pozicione. Nuk është vetëm ai i deputetit që mund të ketë vlerë, apo nga i cili mund të kontribuosh.

Ka një objektiv PSD?
Objektiv ka se nuk mund të shkosh dhe t’ia lësh rastësisë. Objektiv ka që e para do të duhet të përsërisim, atë që kemi sot, jemi parti parlamentare.

Do të kënaqeni me një mandat?
Jo! Situata aktuale na jep të drejtën të shohim pak më tej, më shumë. Mendoj se mandat mund të jemi në qarkun e Tiranës, është një “hambar” votash, dhe nuk do të doja që të etiketoheshim si parti krahinore.

Duke qenë se PS duket se e ka “monopolizuar” të majtën dhe në zgjedhje do të futet pa koalicione, por edhe deklaratën e ambasadores amerikane, Yuri Kim e cila tha se kishte marrë premtimin e Edi Ramës se Tom Doshin “e kishte përjashtuar nga PS dhe se nuk do të ketë asnjë rol në asnjë në çdo qeveri që ai do të formojë”, a keni vija të kuqe për PD-në nëse do të jeni vendimtar për të formuar qeverinë, duke qenë se nga PS-ja po ju lënë jashtë?

Profili i PSD mbetet ai që ka qenë, i partisë së qendrës së majtë dhe nuk kemi ndryshuar program. Ne jemi të prirur që të shohim përtej, pra nëse interesat e vendit do të kërkonin një hap, ne padyshim do ta marrim në konsideratë dhe do të jenë forumet e partisë…

Nuk është se keni vija të kuqe për opozitën e sotme, nëse votat tuaja do të ishin vendimtare për formimin e qeverisë pas 25 prillit?
Asnjëherë nuk duhet thënë, jo vetëm për faktin që kurrë nuk duhet thënë kurrë, por nuk do të ishte edhe politikisht në rregull që të bënim përjashtime në këtë moment.

Si e gjykoni deklaratën e ambasadores amerikane lidhur me deputetin e forcës që ju sot jeni kryetar, Tom Doshin?
Ne respektojmë opinionet, edhe të ambasadores së SHBA, që është përfaqësuese e shtetit më të madh dhe mikut më të madh të Shqipërisë, por një shoqëri ndërtohet, bazohet në institucione, asnjëherë në opinione, asnjëherë në emocione, bazohet në institucione. Ne respektojmë edhe legjislacionin bazë, ku bazohet funksionimi i një partie politike, nuk i japim të drejtë vetes të ngremë struktura hetimore, nuk na e jep ligji këtë. Ne do të respektojmë cdo akt ligjor. Ka një praktikë, disa kushte që përcakton Kodi Zgjedhor, ne do të jemi shumë skrupuloz në vlerësimin e atyre kushteve dhe padyshim besoj në vlerësimin e institucioneve në Shqipëri. Ne me këtë nuk duam të themi se injorojmë opinionet, por gjithsesi jemi të prirur drejt qëndrimeve bazuar në ligj.

Ju po thoni se ligji nuk e ndalon dhe nuk do ta pengoni kandidimin si kryetar në detyrë?
Nuk e kam parë akoma….Dmth dua të shoh dokumentet që plotëson cdo kandidat pastaj të them, nëse do të jem unë ai që do të bëj vlerësimin. Do të ishte e parakohshme, të bëja cdo deklaratë tani.

Edhe diçka të fundit për pandeminë, mund të më jepeni një koment për numrin e vdekjeve?
Nuk jam i surprizuar nga situata aktuale. Cdo mbyllje që do të sillte një frymëmarrje më të plotë të spitaleve do i shërbente zgjidhjes së problemit.

db/ Abcnews.al

Share: