Home KRYESORE Programi/Basha:Ngrejmë Agjencinë kundër Korrupsionit, në lupë çdo PPP

Programi/Basha:Ngrejmë Agjencinë kundër Korrupsionit, në lupë çdo PPP

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka prezantuar këtë të hënë programin e Partisë Demokratike për biznesin dhe anti-korrupsionin , me të cilin garon në zgjedhjet e 25 prillit.

“Në vijim të shpalosjes së programit tonë Shqipëria Fiton, sot kam kënaqësinë t’ju prezantoj disa nga detajet e planeve tona për të nxitur dhe përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri si edhe planin për të luftuar korrupsioni” – tha Basha.

Basha theksoi se për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, për një ekonomi të fortë, duhet së pari duhet të luftojmë korrupsionin.

Pikat kryesore të programit për biznesin dhe anti-korrupsionin:

“Ne do të vendosim një moratorium 1 vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.
Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve.
Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Do të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë.
Do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.
Ne besojmë tek shtresa e mesme dhe jemi të bindur që ajo është shtylla e zhvillimit ekonomik por edhe e stabilitetit demokratik. Qeverisja e vogël dhe efektive do të jetë në qendër të vëmendjes sonë.
Një Shqipëri që fiton është ajo ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara Ligjit njësoj siç janë përpara Zotit. Çdo vendim i qeverisë do të jetë transparent. Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, duke ofruar parashikueshmërinë fiskale.
Do të eliminojmë çdo interpretim ligjesh nga zyrtarët e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull.
Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale.
Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel, ku në qendër është individi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor.
Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve. Nuk do të lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione.
Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën në treg.
Nuk do të ketë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.
Unë angazhohem në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive.
Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive.
Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Angazhohem për të ngritur një sistem që vendos ne qendër individin dhe, familjen, qe ngre pagat dhe rrit pensionet, një sistem që motivon të drejtën, një sistem ku unë si kryeministër nuk do të kem pushtet të pakufizuar, por do të ketë institucione dhe mekanizma që kontrollojnë dhe monitorojnë!
Për të gjithë ata që pyesin ku do të gjenden paratë: paratë do të gjenden në buxhetin e shtetit, ku përmes këtyre masave çdo vit shqiptarëve do t’u kursehen kosto të tilla si ajo prej 7,2 miliard euro e korrupsionit në këto 8 vit”, tha Basha.

Share: