Home KRYESORE Rikthimi i Alma Lamës në politikë. Nga Hajro Limaj

Rikthimi i Alma Lamës në politikë. Nga Hajro Limaj

Pas një zinxhiri zgjedhjesh të parakohshme, Kosova do të rivotojë për qeverinë e re më 14 shkurt. Por në këto zgjedhje në krahasim me të kaluarat nuk do të jenë Hashim Thaçi, ish president, Veseli ish kryetar kuvendi dhe disa personalitete të tjerë, të cilët kishin monopolizuar politikën dhe shtetin e tyre duke i sjell Kosovës dështime në të gjitha fushat. Gjithashtu për të pasur Kosovën vetëm në duart e tyre bllokonin ose i largonin politikanët dhe intelektualët të cilët me vizionet dhe përkushtimet e tyre kërkonin zgjidhjet e mëdha të Kosovës.

Një personalitet të tillë Kosova e ka mes vetes, Alma Lamën e cila nga një gazetare me zë të fuqishëm në Televizionin Klan, me martesën në Kosovë u zgjodh dy herë deputete e këtij vendi. Aftësitë e saj ne marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci e vendosën atë ambasadoren e parë të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë. Me korpusin e diplomatëve të huaj në Romë ajo krijoi afërsi dhe mirëkuptim reciprok, duke e radhitur Kosovën të barabartë midis tyre. Kultura diplomatike me kulturën gjuhësore e prezantuan atë në shumë veprimtari dhe përfaqësime. Kur personaliteti I saj ishte në rritje të përditshme, ish presidenti Thaçi me propozim të ministrit Pacolli i liruan nga funksioni pa asnjë motivacion negativ, me mungesë të plotë transparence dhe pa e pozicionuar në një funksion tjetër. Për ne që e ndjekim me shumë kujdes gjendjen dhe zhvillimet ne Kosovë, nuk përbënte ndonjë rastësi, por tregonte se garda e vjetër, të cilat nga çlirimtarë ishin kthyer në çlirimtarë pushtues thellonin luftën e tyre kundër brezit të ri, intelektualëve dhe mbrojtësit e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Dhe kur mësuam shkakun e ndërprerjes së misionit në Itali, rezultoi se publikimi një takimi sekret që kishte bërë Thaçi me Vuçiçin në afërsi të Romës e “shkarkoi“ me një herë diplomaten që ishte e angazhuar për rritjen e përpjekjeve për lëvizjen e lirë të kosovarëve, të mbështetjes për njohjen si shtet Sovran edhe 5 shtetet e ngelura të BE-së, të mbështetjes për negociatat me Serbinë vetëm në kuadrin e sovranitetit të njohur botërisht.

Koha bëri punën e saj. Ajo me gjakftohtësi vazhdoi punën e saj nga një kënd shumë i veçantë, duke hapur edhe rubrika të veçanta informative, duke ju shmangur konflikteve personale, e duke trajtuar të vërtetat e zhvillimeve në Kosovë. Dhe rezultati erdhi. LDK e rithirri Almën të kandidojë për deputete për këto zgjedhje me shumë interes.

Era e ndryshimit në Kosovë po ndihet, por se sa e fuqishme do të jetë kësaj here, jemi në pritje të pa durueshme. Garda e vjetër ka dështuar plotësisht, prandaj marrjen e qeverisjes së vendit nga të rinjtë, si zonja Alma, do ta çlirojmë shumë Kosovën nga moria e madhe politike, ekonomike, shoqërore e sociale./BotaSot.info

Share: