Sigurimi i mjeteve në Shqipëri mund të bëhet me sistemin bonus malus. Por çfarë do të thotë kjo? Për ta thënë më thjeshtë: drejtuesit e mjeteve që kanë bërë më shumë aksidente do të duhet që të paguajnë më shumë për sigurimin e mjeteve të tyre, ndërsa ata që kanë bërë më pak aksidente dhe kanë shkaktuar më pak dëme do të paguajnë më pak për policën e sigurimit.
Propozimi vjen në projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që tashmë është në Kuvend dhe ka nisur shqyrtimin. Por, sipas draftit kjo nuk është e detyrueshme, pasi do t’u lihet në dorë kompanive nëse duan ta aplikojnë apo jo këtë sistem.
Zbatimi i këtij sistemit, pra që të mos paguash kostot e tjetrit është përfolur prej kohësh në Shqipëri, por vetëm së fundmi vjen e përfshirë në draft zyrtar që përsëri nuk e bën atë të detyrueshëm.
Prej prillit të 2020-ës, me një udhëzim të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka nisur ngritja e një baze të dhënash për aksidentet, që do t’u shërbente kompanive të përllogarisin primin e sigurimit bazuar në historikun e dëmeve të secilit prej drejtuesve të mjetit.
Drafti deri më tani ka kaluar për shqyrtim dhe është miratuar vetëm nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, ku deputetët kanë shprehur skepticizmin e tyre lidhur me këtë pikë të ligjit. Deputetët kanë kërkuar që të përcaktohet qartë nëse do të behet i detyrueshëm, në të kundërt zbatimi i bonus malus të shtyhet më tej në kohë.
Një nga efektet kryesore që mund të sillte aplikimi i kësaj skeme edhe në vendin, pra duke ndëshkuar me çmime më të larta sigurimi shkaktarët e aksidenteve dhe duke shpërblyer më kosto më të ulëta shoferët e përgjegjshëm është ulja e numrit të aksidenteve në vend.
Sipas të dhënave të Instat, vetëm muajin e kaluar u regjistruan në vend 125 aksidente rrugore, teksa viti I kaluar u mbyll me një bilanc lufte me 1 234 aksidente, ku pjesa dërrmuese e tyre kanë ndodhur për shkak të sjelljes së drejtuesve të mjetit.
Top Channel