HISTORIA IME SHKURT FARE
Jam Rita Petro, e lindur ne Tiranë me nënë nga Korça dhe baba nga Gjirokastra.
Me profesion specialiste didakte e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në shkollë; kur isha 30 vjeç kisha një ëndërr – të bëja gjithë serinë e teksteve shkollore për arsimin para-universitar dhe sot kam në biografinë time 40 tekste shkollore që janë përdorur ndër vite dhe përdoren në të gjitha trevat shqiptare ku mësojnë nxënësit shqiptarë…dhe në diasporë.
Thelbi i qenies sime lidhet me pasionin tim, që është POEZIA. Dhe jetën time mundohem ta jetoj në mënyrën sa më të mundshme poetike.
Ndonëse në jetë m’u desh që me të njëjtin pasion t’i përkushtohem dhe biznesit të librit në një treg të pabarabartë e të pamësuar. Kështu lindi ALBAS nga Dashuria.
Dashurisë ia kam hapur përherë portat e shpirtit dhe çdo ditë e kam shijuar.
Tre meshkujt më te rëndësishëm të jetës sime janë: Babai-Burri – I dashuri.
Tre femrat më të rëndësishme: Mamaja, Motra, Mikesha e ngushtë.
Jam një mama sa “egoiste” aq sakrifikuese për të mirën vetjake të vajzës sime.
Jam një partnere sa “e rrezikshme” aq e besës deri në vdekje.
Liria është një dhuratë që m’u dha ditën kur linda dhe po atë ditë kur donin të ma merrnin, nuk e kam lëshuar e nuk do ta lëshoj kurrë nga duart.
Vdekjen do ta doja me një shije eksituese dhe grahmat e saj – prej orgazmês së një jete-flakë në shuarje.
E kam provuar njëherë te kasollja në mal
Kur pemët i kishin zënë ethet e pranverës…
Vetëm unë dhe Ai e dimë…
Ti Lato e more me vete kujtimin,
Unë do të jetoj për ta shijuar deri darkën e fundit!
(Bashkebisedim me te emblen Mirela Milori)