Ralf Ferruku, 39 vjeçari shqiptar, i cili u arrestua tre ditë më parë në Greqi është dërguar në gjykatë nën masa të rrepta sigurie.
Ai u kap gjatë një kontrolli rutinë në Lamia teksa ndodhej në një makinë me të dënuarin e famshëm të burgjeve greke, Alket Rizai.
Sipas policisë lokale, një patrullë e ndërhyrjes së shpejtë ndaloi për një kontroll për masat anti-Covid, një automjet me xhama të errët, dhe me habi u konstatua se në bordin e automjetit ndodhej Alket Rizai i cili kishte marrë leje disa ditore nga burgu i Dhomokos ku kryen dënimin. Së bashku me të ishte 39 vjeçari Ralf Ferruku dhe një shtetas grek, edhe ai person shumë i njohur në botën e krimit në Greqi.
Pasi u gjetën pa maska, të tre personat u gjobitën 300 euro secili për shkelje të rregullave të Covid-19, dhe në vazhdim u verifikuan të dhënat personale të tyre në sistemin e policisë greke. Prej verifikimit,u gjet se Ferruku ishte në kërkim për disa akte të dhunshme, si vrasje, plagosje dhe gjobëvënie.