Sikurse u njoftua edhe më herët pas vaksinimit të mjekëve në Shkodër, këtë të hënë ka nisur vaksinimi i të moshuarve në vendin tonë.
Të parët që kanë marrë dozën antiCOVID kanë qenë disa të moshuar nga azili shtetëror i pleqve në qytetin veriperëndimor.
Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ministrja Ogerta Manastirliu dhe shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së Silva Bino. Manastirliu theksoi se ditën e sotme do të përfundojë vaksinimi për 45 të moshuarit në këtë shtëpi për të nisur më pas me të tjerët.
“Të moshuarit që jetojnë në shtëpinë e të moshuarve kanë kushte shumë të mira. Sot jemi në shtëpinë e të moshuarve në kuadër të vaksinimit të kombinuar. Do të bëjmë vaksinat për të moshuarit që jetojnë në shtëpinë e të moshuarve. Ne kemi bërë një strategji që në fillim duke i mbajtur stafet të mbyllura në shtëpinë e të moshuarve”, tha ministrja.