Home KRYESORE Bizarre & Botë false! Nga Gladiola Busulla

Bizarre & Botë false! Nga Gladiola Busulla

Bizarre
Dot,
nuk do të më kryqëzosh
në kurthin e trillit tënd…
Midis dëshirash që zvarriten
në dritë, në gjysmerrësirë, në terr,
në gënjeshtra, në gjumë, në realitet.
Arratisur,
në vorbullën shtjellëse
të kësaj fajësie,
pafajshmërisht të ankthshme.
Vetëtimat zbehin hijet emblematike
të dhjetëra lamtumirave
që thamë,
për të harruar sërish.
Dhe zemra tashmë,
u mësua me gjysmërrahjet
e ankoruara në brigjet e tua.
Dot,
nuk do të më gozhdosh
në kontinentin e lirisë së mbërdhezur
nga pritja dhe padurimi.
A ka vallë krenaria
një datë skadence,
Ashtu si urrejtja bizare
për emrin tënd?!

Botë false

Nuk jam gjithmonë krenare
Që këtij planeti i përkas.
Ku qeniet njerëzore vrasin,
Dhe parajsa e fton ferrin
T’i shkojë akoma më pranë.
Ligjërime shkatërrimtare,
si lavë vullkani enden
në buzë që shtiren.
Nën qiej – me vetëtima gënjeshtrash
E yje dëshpërues që fshihen,
Të mos shohin ç’ndodh në botë.
Në këtë botë false e të rreme,
që të drejtë s’e bëjmë dot.
E pashpresë
Jam pritja e pashpresë
Pas dyerve të zemrave të mbyllura.
Një vesëz shiu
që dot s’mbërriti
Në shkretëtirë.
Trupi që kurrë s’u bë,
oaz i shpirtit.
Jam dimri xheloz
Që kalldrëmet ngrin.
Një degëz e këputur
Nga pema e jetës.
Trishtueshëm kredhur
Në amullinë e shpresës.
Dehur nga fjalët
e ftohta të diellit.
Si pulëbardha që rënkojnë,
bien e vdesin.
Jam ofshama lypsare
E netëve të bardha që
Të papërqafuara mbesin…

Share: