I dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer komentoi deklaratat e fituesit të zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, që u shpreh se dialogu me Serbinë nuk është prioriteti i parë i qeverisë tij.
Palmer tha se Amerika mbështet prioritetet e tij për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit, por shtoi se Kosova duhet të vijojë dialogun me Beogradin.
“Kam dëgjuar përparësitë që Z. Kurti vuri në dukje; transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë. Këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë.
Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre përparësive” tha Palmer.
Matthew Palmer u shpreh se mes dy vendeve marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt. “Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara” përfundoi ai./ db/ Abcnews.al