Home KRYESORE Fantazmë hieratike Symbyllas

Fantazmë hieratike Symbyllas

Nga Gladiola Busulla

I shoh mendimet e mia
Të largohen si hije të dëshpëruara,
Kur mbrëmja vjen të më çrrënjosë
Paqenësinë e ekzistencës.
Si një fantazmë hieratike
I turbullt,
shfaqet imazhi yt.
Metamorfozë e shpirtit tim.
Enigma e Sfinksit
Më përndjek si
Pafajësia e rrejshme
Që frymëmarrjen lëndon.
Unë jam thjesht një peng
Që orvatem në simetrinë
E enigmës sate
Në një botë të vagullt,
Që më prek kur fle
Dhe më braktis
Në zgjim.

Share: