Home Gjeo-Ekonomia KE propozon “pasaportën Covid” për udhëtimet, 3 elementet që përmban

KE propozon “pasaportën Covid” për udhëtimet, 3 elementet që përmban

Të mërkurën, Komisioni Europian propozoi krijimin e pasaportës së gjelbër dixhitale për COVID-19 me qëllim lehtësimin e lëvizjes brenda BE-së gjatë pandemisë.

Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente. Elementi i parë përmban vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, i dyti, vërtetimin për test negativ për këtë virus dhe i treti, vërtetim se personi është shëruar nga COVID-19.

Pasaporta e vaksinës së BE do të jetë falas, dygjuhëshe, ndërvepruese, e sigurt, jo-diskriminuese dhe e disponueshme në format dixhital dhe fizik përmes kodit QR. Qëllimi i saj do të jetë të lehtësojë “lëvizjen e sigurt dhe të lirë” brenda BE gjatë pandemisë.

Po ashtu pasaporta e vaksinimit do të përmbajë markën e vaksinës së përdorur, të dhënat dhe vendin e inokulimit dhe numrin e dozave të administruara. Rezultatin e testit negativ (testi NAAT / RT-PCR ose një test i shpejtë i antigjenit).

Pasaporta e vaksinimit do t’u lëshohet qytetarëve të BE-së dhe anëtarëve të familjes së tyre, pavarësisht nga kombësia e tyre. Po ashtu pasaporta e vaksinimit do t’iu jepet edhe shtetasve të huaj, me qëndrim në BE, të cilët kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me pasaporta.

Gjithashtu, pasaporta e vaksinimit  do të vlejë në territorin e BE-së,  dhe do të vërtetojë nëse personi është vaksinuar me njërën prej vaksinave, të cilat janë miratuar për përdorim në tregun e BE-së. Por, shtetet anëtare mund të vendosin vetë që të pranojnë edhe vaksinimin me vaksina tjera./Opinion.al

Share: