Home KRYESORE Balla nxjerr videon e Bashës: Motra e trafikantit të drogës në listat...

Balla nxjerr videon e Bashës: Motra e trafikantit të drogës në listat e PD

Drejtuesi i qarkut të Elbasanit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka publikuar një video ku kreu i PD-së Lulzim Basha shfaqet në shoqërinë e Altin Dalipit, një person që sipas tij është dënuar për trafik droge në Belgjikë. Ky i fundit është edhe vëllai i kandidates së PD në Elbasan, Lumturie Hasa.

Në postimin në Facebook, Balla përmend edhe emra të tjerë me precedentë penalë, si kandidati i Shijakut dhe Shkodrës që janë vendosur në listat e PD si kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

“Lulzim! Ku je Lulzim?! Në Durrës ke një të dënuar për trafik droge në Zvicër, duhet ta tërheqësh se siç kërkon Ligji nuk mund të kandidojë. Kandidatin serial, subjekt të SPAKUT në Shkodër “Hile” Zefin, lërja Drejtësisë. Në Elbasan mos e ndrysho listën aman, por mos e fyej Elbasanin. Mjaft u more me gaztorët e tu dhe manipuluesin e kamerave të Kryeministrisë kur Saliu dhe ti qëllonit mbi popullin opozitar. Por në Sa për matematikën e numrave kuptohet qartë që ti i je rikthyer planit të çadrës për pengimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të zhvillohen më 25 Prill”, shkruan Balla.

Të dy forcat politike, PS dhe PD akuzojnë njëra-tjetrën për vendosjen në listat e kandidatëve për deputetë, persona me rekorde kriminale. Kujtojmë se edhe kreu i PD, Lulzim Basha ka denoncuar më herët se në listën e PS ka persona që vijnë nga bota e krimit. “Mjafton të shohim qarkun e Durrësit kandidatin e Avdylajve, Çyrbjen e famshëm të përgjimeve të Bildit, kandidatin e bandave të tjera të Shijakut edhe të Durrësit, Ndraxhën gojëkyçur dhe natyrisht Rrahman Rrahjën, emër i njohur edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Basha në një konferencë për shtyp./Opinion.al

Share: