Në Madrid festa e vërtet nis pas orës 11 të natës atëherë kur lokalet janë të mbyllura dhe hyn në fuqi ndalim-qarkullimi.
Ky është momenti kur grupe të rinjsh nga Italia, Holanda, Gjermania dhe e Franca, bashkohen me bashkëmoshatarët e tyre spanjollë në rrugët e ngushta të Madridit në kërkim të mundësive për argëtim të paligjshëm. Shumica e tyre janë rreth të 20-at, të etur për të festuar në kryeqytetin spanjoll gjë që nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë për muaj me radhë në vendin e tyre, për shkak të masave të rrepta të bllokimit.
Falë politikës së bareve dhe restoranteve të hapura, si brenda ashtu edhe jashtë, si dhe duke mbajtur hapur muzetë e teatrot edhe në ato raste kur infeksionet kanë mbingarkuar spitalet, Madridi ka krijuar reputacionin e një oazi për argëtim në shkretëtirën e krijuar nga kufizimet në Evropë.
Rajonet e tjera spanjolle kanë një qasje më të rreptë ndaj argëtimit. Vendpushimet në bregdet ofrojnë një gamë të kufizuar opsionesh për ata pak vizitorë që u shfaqën, çka përkon me javën e Pashkëve, mes një sërë rregullash kontradiktore evropiane të udhëtimit.
“Është privilegj për mua të shkoj në lokale sepse në Francë nuk mundesh. Këtu mund të shkoj në restorante, të ndaj kohën me miqtë jashtë shtëpisë, të zbuloj qytetin“, thotë Romy Karel. 20-vjeçarja nga Berlini fluturoi drejt Madridit të enjten e kaluar nga qyteti francez Bordo, ku ajo po studion për shkenca shoqërore.
“Nuk më kujtohet kur ishte hera e fundit që e kam bërë një gjë të tillë“, thotë ajo.
Vizitorët po u sjellin punë disa bizneseve jetike për vendasit dhe u kanë dhënë politikanëve edhe më shumë argumente për të debatuar para zgjedhjeve rajonale të polarizuara. Isabel Díaz Ayuso, presidentja rajonale e Madridit e cila kandidon për t’u rizgjedhur, po përpiqet të tërheqë vota përtej mbështetësve të saj konservatorë duke bërë fushatë nën sloganin e “lirisë”.
Jashtë kryeqytetit, përpjekjet për të filluar turizmin po sjellin rezultate të ndryshme. Pjesërisht, kjo për shkak të një numri rregullash në nivel rajonal, kombëtar e madje evropian që ndalojnë udhëtimet e brendshme jothelbësore duke krijuar një boshllëk për ata që kërkojnë të pushojnë në Spanjë.
Megjithëse Gjermania ka ndaluar të gjithë turizmin e brendshëm dhe ka shkurajuar udhëtimet jashtë vendit, qeveria i ka lejuar udhëtimet në ishujt Baleare të Spanjës, të cilat kanë një normë të ulët infeksioni. Por shumë nga ata që kishin rezervuar hotele u zhgënjyer kur mbërritën, pasi mësuan se baret dhe restorantet qëndronin të mbyllura natën./ VOA