Home KRYESORE MËSUESI, VOTA DHE AUTONOMIA E TIJ

MËSUESI, VOTA DHE AUTONOMIA E TIJ

Nga Rita Petro


Për 7 Marsin bashkë me urimin tim për të gjithë mësuesit, e ndjeva të postoja këto fjalë të shkëputura nga një artikull në 1935-ën, në shtypin e përditshëm nga intelektuali i shquar i asaj kohe Mihal Zallari (i dënuar në kohën e komunizmit).

ASNJË KRITIKË MBI KLASËN E MESUESVE! AQ MË TEPËR PËR KUSHTET NË TË CILAT NDODHET KJO KLASË…

ÇDO MËSUES DUHET TË JETË PERSONALITET. PERSONALITETI MUND TË IMPONOHET; PERSONALITETI MUND TË BINDI; PERSONALITETI MUND TË NGJALLË VETËM BESIM DHE SIGURI.

KLASËS SË MËSUESVE I ËSHTË THYER PRESTIGJI NGA ATA QE KA MBI KOKË! …

Është kaq aktual dhe sot ky mesazh!
Mendimi im ështe që pa autonomi mësuesi mbetet i pavlefshëm nga ana profesionale dhe autoritare. Nuk mund t’i kërkosh llogari një mësuesi joautonom. Vetëm një mësuesi që i jepet kjo e drejtë mundet edhe t’i merret, nëse nuk është i zoti ta përdorë ashtu si duhet kompetencen e vet.

Mungesa e mundësisë për konkurrencë i shndërron mësuesit në militantë të çdo partie që është në fuqi. Ata që janë vërtet të zotë, kanë fatin e keq se keqtrajtohen nga drejtuesit politikë, por nga ana tjetër, për fat të mirë mbahen mend prej nxënësve të tyre tërë jetën.

Lum ai mësues që në gjithë këtë zallamahi që na rrethon, arrin të ruajë integritetin e tij profesional e moral!

Dhe kjo ditë e shënuar e 7 Marsit ndriçohet pikërisht nga këto figura të çmuara të arsimit, që nuk i kanë munguar asnjë kohe, po që ne kemi të drejtë të shpresojmë se kështu një ditë do të jetë shumica.

Asnjë qeveri nuk do të jetë kurrë e suksesshme, nëse nuk i kthen mësuesit autonominë, pa patur fare nevojë apo frikë të mendojë se ku do të shkojë vota e tij.

Share: