Home KRYESORE SPAK mbyll hetimet për gjyqtaren Mimoza Margjeka

SPAK mbyll hetimet për gjyqtaren Mimoza Margjeka

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes së gjyqtares Mimoza Margjeka dhe të akuzuarve të tjerë. SPAK gjithashtu ka mbyllur hetimet edhe për bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara.

Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti akuzohen për “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, në bashkëpunim”.

Të pandehurit e tjerë Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte detyrën në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në këmbim të parave, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas./Opinion.al

Share: