Home Gjeo-Ekonomia Traktati antipandemi po lind mbi solidaritet, ndershmëri, transparencë, gjithëpërfshirje, barazi

Traktati antipandemi po lind mbi solidaritet, ndershmëri, transparencë, gjithëpërfshirje, barazi

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Sapo ka kaluar një vit nga përballja e botës me pandeminë globale covid-19 dhe komuniteti ndërkombëtar udhëhequr nga shtete të zhvilluara si Franca e Gjermania e të tjerë, midis të cilëve edhe Shqipëria këto ditë ndërmorën iniciativën për shkuar drejt një traktati të ri ndërkombëtar anti-pandemi. Kriza që ka shkaktuar pandemia covid-19 dhe pasojat e saj mbi shëndetin publik global, sikundër edhe mbi ekonominë dhe shoqërinë janë më të rëndat që nga Lufta e Dytë Botërore. Mësimet për të mos u harruar janë këto që bota po bën në këtë periudhë krize specifike globale. Por krizat globale bëjnë lindje të mëdha.

1.Krizat lindin traktate, kështu ka ndodhur gjithnjë Ardhja e papritur, mungesa e sistemeve palajmëruese, mos shkëmbimi i të dhënave, mungesat e kërkimit shkëncor, problemet e prodhimit dhe të shpërndarjes në shkallë lokale, rajonale e globale të mjeteve në funksion të trajtimit mjekësor e shëndetit publik, si vaksinat, barnat, pajisjet diagnostikuese e të mbrojtjes personale janë një pjesë e problemeve të identifikuara. Nga ana tjetër, mangësitë e konsiderueshme në bashkëpunimin ndërkombëtar për të përballuar pandeminë në nivel global dhe për të ndërtuar një arkitekturë shëndetsore ndërkombëtare më të bashkuar e më të fortë – janë mësime të rëndësishme që dolën në pah përgjatë pandemisë covid-19.

Për t’i adresuar shpejt, drejt dhe në nivel global këto probleme për të ardhmen e njerëzimit është e domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar, bazuar në përvojën e hidhur të pandemisë covid-19, identifikimit të problematikave, shkaqeve, faktorëve dhe aktorëve si dhe nga mësimet e dala prej tyre, këto ditë hodhi hapin e madh për të shkuar drejt përgatitjes së një traktati ndërkombëtar anti-pandemi. Kjo iniciativë ndërkombëtar u ndërmorr nga nga 23 shtete të udhëhequra nga vëndet më të zhvilluara Evropiane të kohës sonë, si Franca dhe Gjermania. Kështu komuniteti ndërkombëtar ka vepruar gjithnjë mbas krizave të mëdha. Ishte përfundimi i Luftës së Parë Botërore që lindi Traktatin e Versajës dhe themelimin e Lidhjes së Kombeve. Ishte pikërisht përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që prodhoi Traktatin e Paqes në Paris dhe themelimin e Kombeve të Bashkuara.

Ishin Krizat e Berlinit dhe të Raketave në Kube, në mes të Luftës së Ftohtë, që prodhuan një sërë traktatesh ndërkombëtare për carmatimin e sidomos kundër armëve bërthamore dhe atyre të dëmtimit në masë. Ishte kriza e përkeqësuar e ngrohjes globale dhe pasojat e saj mbi jetën planetare dhe njerëzore që nxitën Traktatin e Parisit, e kështu mund të rendisim shumë shembuj të tjerë që dëshmojnë se krizat e mëdha kanë prodhuar traktate ndërkombëtare për menaxhimin e tyre, por edhe parandalimin e përsëritjes dhe zgjidhjen e tyre në të ardhmen. I tillë është edhe traktati ndërkombëtar anti-pandemi që po inicohet këto ditë në nivel ndërkombëtar.

2.Asnjë nuk është i shpëtuar kur të gjithë nuk janë të tillë Pandemia covid-19 i erdhi globit si një rrufe nga një qiell pa re dhe i përhap në mbarë rruzullin si një stuhi e papërmbajtshme. Origjina e virusit, u tha se erdhi nga Kina, por kjo thënie u bë objekt debati ndërkombëtar. Dhe akoma pa u sqaruar ky debat ndërkombëtar mbi origjinën, mutacione të reja covid-19 lindën nga Anglia, Afrika e Jugut, Amerika Latine e nga vënde të tjera. Gjithcka u corodit në nivele të papara.

E përbashkëta e mbarë botës ishin infektimet masive, vdekjet njerëzore, stanjacioni e rënia ekonomike dhe rrënimi social. Psikologjikisht frika, makthi dhe paniku pushtuan gjithë vëndet e popujt pavarësisht nga madhësia, zhvillimi ekonomik e social, përparimi teknik e teknologjik. Ndërkohë politikat publike iu kthyen qasjeve nacionaliste, sjelljeve egoiste dhe interesave të ngushta, shoqëria civile nga ‘global society’ u fragmentua drejt qasjeve lokale, komuniteti i biznesit, madje edhe korporatat multinacionale, nisën të shohin interesat e veta përfituese.

Plasën përcarje midis vëndeve të pasura dhe të varfëra, vëndeve të zhvilluara dhe në zhvillim, midis Veriut dhe Jugut, midis Lindjes dhe Perëndimit, midis shtresave shoqërore sipas statusit e pasurisë, midis korporatave farmaceutike për sigurinë dhe efikasitetin e prodhimeve të tyre. Gjeopolitka u shndërrua në biopolitkë. Kështu, bota u fragmentizua në një kohë kur të gjithë po përballeshin me të njëjtën sfidë dhe kur kishin nevojë më shumë se kurrë për të shpejtuar dhe forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për adresimin e krizës.

Të gjithë, si për cudi, harruan atë që ishte mësimi më i madh i krizës pandemike: askush nuk mund të jetë i shpëtuar, përsa kohë të gjithë nuk janë të tillë. Pandemia covid-19, sikundër edhe cdo pandemi tjetër që mund të lindë, nuk ka kufij, nuk njeh shtete, nuk pyet për barriera politike, juridike dhe administrative, nuk ndikohet nga fuqia dhe pasuria, nuk efektohet nga sistemi politik, ekonomik e shoqëror, nuk ndien për përparimin teknik teknologjik e shkencor. Pandemia bie mbi të gjithë, vërshon mbi tërë globin, prek cdo kënd, kërcënon cdo jetë, dëmton cdo ekonomi e rrënon cdo aspekt social.

Pandemia është armik universal, i pamëshirshëm dhe aspak selektiv. Pasojat e saj bien kudo, në cdo kohë dhe në cdo vënd, duke shkaktuar kudo të njëjtat efekte, plagë e fatalitete.

Mësimi më i madh i krizës pandemike covid-19 se ‘askush nuk mund të jetë i shpëtuar, përsa kohë të gjithë nuk janë të tillë’ përkthehet në termat ndërkombëtare se ‘asnjë shtet e asnjë popull nuk mund të shpëtojnë nëse nuk shpëtojnë të gjithë së bashku’. Kjo arrihet përmes shpejtimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar bazuar në të njëjtin qëllim, objektiva, sisteme shëndetsore, instrumenta e mekanizma nga ato politik, shoqëror, biznesor e deri te ato shkencor, teknik, teknologjik e organizativ ndërkombëtar.

3.Traktati, qëllimi dhe objektivat, nën ombrellën e OBSh Inicatorët e traktatit të ri anti-pandemi përpiluan këto ditë një letër në të cilën përvijuan në vija të përgjithshme qëllimin, objektivat si dhe kuadrin institucional brënda të cilit traktati do funksionojë. Në letrën e iniciatorëve theksohet se për ta arritur këtë traktat, vendet duhet të punojnë së bashku, për të shkuar drejt një pakti të ri ndërkombëtar për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive”. Iniciatorët, Franca, Gjermania dhe të tjerë theksojnë se “Pandemi të reja do të vijnë e urgjenca të tjera të mëdha shëndetësore do të shfaqen, por asnjë qeveri apo agjenci shumëpalëshe nuk do të mund t’i përballojë e vetme këto kërcënime”.

Më tej theksohet se “Çështja nuk është a do të ndodhë, por kur”. Dhe më tutje vijojnë…”Të gjithë bashkë duhet të jemi më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar e për të reaguar efektivisht ndaj pandemive në mënyrë tejet të bashkërenduar”. Nga kjo buron qëllimi madhor i draft-traktatit që ka të bëjë me “ndërtimin e një arkitekture më të fortë shëndetësore ndërkombëtare, që do të mbrojë brezat e ardhshëm”.

Objektivi kryesor i traktatit në fjalë do të jetë krijimi i një qasjeje universale, mbarëqeveritare e mbarëshoqërore, që forcon kapacitetet e qëndresën kombëtare, rajonale e globale ndaj pandemive të ardhshme. Për këtë do të duhej të pranohej qasja “Një shëndetësi”, që ndërthur shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe planetit tonë. Që kjo të arrihet, duhet një rritje e konsiderueshme e bashkëpunimit ndërkombëtar për t’u përmirësuar, për shembull, në raport me sistemet e paralajmërimit, shkëmbimin e të dhënave, kërkimin shkencor, prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë lokale, rajonale e globale të mjeteve në funksion të trajtimit mjekësor e shëndetit publik, si vaksinat, barnat, pajisjet diagnostikuese e të mbrojtjes personale.

Objektivat e tjera të draft-traktatit do kenë të bëjnë me angazhimin për të siguruar një qasje universale dhe të barabartë ndaj vaksinave, barnave e mjeteve diagnostikuese të sigurta, efikase e me kosto të përballueshme për këtë pandemi e të tjerat në të ardhmen. Ky objektiv synon arritjen e imunizimit si një e mirë publike globale. Tjetër objektiv lidhet me rritjen e aftësimit për zhvillimin, të prodhimin e shpërndarjen e vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur. Për arritjen e këtij objektivi gjithë komuniteti ndërkombëtar “duhet të jetë më i përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar e për të reaguar efektivisht ndaj pandemive në mënyrë tejet të bashkërenduar”.

Në tërësi draft-traktati synon përtëritjen e një angazhimi të tillë të përbashkët ndërkombëtar që do të shënonte një hap themelor në rritjen e gatishmërisë kundrejt pandemive në nivelet më të larta politike. Traktati i ardhshëm anti-pandemi nuk do fillojë nga zero. Ai do të mbështetet në kushtetutën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e do të përfshijë organizata të tjera të rëndësishme që janë kyçe për këtë angazhim, duke iu përmbajtur parimit të shëndetit për të gjithë. Instrumentet ekzistuese globale të shëndetësisë, veçanërisht, Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit do të ishin baza e këtij traktati, që do të garantonte themele të forta e të sprovuara mbi të cilat mund të zhvillohemi e të përmirësohemi.

Ky traktat duhet të na çojë në nivel ndërkombëtar drejt një përgjegjshmërie të ndërsjellë e bashkëpërgjegjësie, transparence e bashkëpunimi më të madh në kuadrin e sistemit ndërkombëtar e me rregullat dhe normat e tij. Vlera e këtij traktati qëndron në mësimet e përftuara nga pandemia covid-19 dhe problemet që paraqiti ajo në shëndetin publik, ekonominë dhe aspektet sociale. Traktati do ndikojë në ngritjen e kapaciteteve dhe sistemeve shëndetsore në gjitha nivelet për ta bërë këtë do të nevojitet kohë e angazhim të qëndrueshëm politik, financiar e shoqëror për shumë vite.

Draftimi i traktatit, miratimi dhe ratifikimi i tij deri në hyrjen në fuqi e sidomos, implementitmi i detyrimeve që do rrjedhin prej tij do kërkojë angazhimin e shumë aktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë të shteteve dhe krerëve politik të tyre, por edhe të aktorëve të tjerë me shumë rëndësi si shoqëria civile dhe ato të sektorit privat. Që ky angazhim të bëhet realitet, komuniteti ndërkombëtar, shtetet, shoqëria civile dhe biznesi duhet të udhëhiqen nga solidariteti, ndershmëria, transparenca, gjithëpërfshirja dhe barazia, që janë vlerat universale të këtij traktati në lindje e sipër.

Share: