Home KRYESORE VIDEO/ Ku është filmuar njëri nga vrasësit e dyshuar të Shkëlzen Kastratit

VIDEO/ Ku është filmuar njëri nga vrasësit e dyshuar të Shkëlzen Kastratit

Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier më datë 1 Shkurt 2021 ka vënë në lëvizje struktura të shumta të Policisë së Shtetit. Zyrtarisht 4 persona janë të akuzuar për vrasjen e Kastratit dhe janë të shpallur në kërkim. Njëri ndër ta është edhe Elmir Tufa 29 vjeç, i cili i fshihet policisë.

Ai ka dhënë një intervistë ekskluzive nga arratia për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus, ku ka rrëfyer pretendimet e tij dhe thotë se me atentatin e ndodhur në Fier nuk ka lidhje.

Elmir Tufa ka vënë në dispozicion të emisionit Uniko disa pamje të kamerave të sigurisë së një biznesi privat në Krujë, ku pretendon se ka qenë më 1 Shkurt kur është vrarë Shkëlzen Kastrati, duke mohuar përfshirjen në vrasje dhe se nuk ka qenë në Fier.

Në këto pamje të kamerave të sigurisë ai shihet duke dalë nga një makinë tip “Mercedes-Benz C Class”. Në këtë video të datës 1 Shkurt, sikurse pretendon ai, është me mjekër, ndërsa në intervistë me gazetarin Koka shfaqet pa mjekër për arsye se është në kërkim.

Spartak Koka: Ju pretendoni se keni dhe pamje filmike?

Elmir Tufa: Po, i kam që të gjitha në USB. E kam dhe me deklaratë noteriali që m’i kanë dhënë.

Spartak Koka: Sa kamera keni arritur të siguroni?

Elmir Tufa: Kam siguruar kamera tek Big Marketi se tek Posta nuk t’i japin ngaqë janë shtetërore. Këtë ngjarje unë e kam marrë vesh kur është dhënë në emision. Deri në datën 16 Shkurt unë s’kam pasur asnjë kontroll në shtëpi.

Spartak Koka: S’ka ardhur njeri t’ju kontrollojë?

Elmir Tufa: Fare!

Spartak Koka: Sepse ju keni qenë në kërkim policor që në datën 5.

Elmir Tufa: Unë ditë për ditë kam dalë, ditë për ditë kam qenë në Fushë-Krujë, ditë për ditë kam qenë për të pirë kafe.

Spartak Koka: Po në datë 16 pasi doli në emision, vajtët në polici për t’u interesuar?

Elmir Tufa: Nuk vajta në polici.

Spartak Koka: Pse?

Elmir Tufa: Sepse s’kisha lidhje me këtë ngjarje. Unë kur dëgjova këtë jam mundur që të lidhem, të gjej kamera sa më shpejt, të marr deklaratat e njerëzve që kam qenë se atë ditë unë kam qenë në Krujë gjithë ditën.

Spartak Koka: Kush është ky person?

Elmir Tufa: Ky është Elmir Tufa, ky jam unë. Jam me të njëjtin kostum, veçse aty kam qenë me mjekër edhe këtu jam pa mjekër. Këtu jam ruajtur nga kushtet që jam në kërkim. Këtu jam te Big Marketi, kam lënë makinën. Jam duke ikur. 09:11 kam ardhur kam parkuar makinën.

Spartak Koka: Kjo është makina juaj personale?

Elmir Tufa: Po, këtë e ka kontrolluar edhe policia, ka marrë dhe targën te shtëpia. Kjo është makina ime. Ja ku jam me kostum. Kam shkuar tek Posta aty në Krujë.

Spartak Koka: Këtu është në qendër të Krujës?

Elmir Tufa: Po, është rruga që shkon te Bashkia, tek Posta që hyn m’u në qytet brenda.

Spartak Koka: Po shteti i ka marrë këto kamera?

Elmir Tufa: Nuk e di, se po të kishte marrë shteti këto kamera, do kishte arritur të siguronte se ku ndodhej Elmiri nga ora 08:00 deri në orën 12 e ca ku ndodhej Elmiri atë ditë. Po t’i kishte siguruar shteti këto kamera, e kishte vërtetuar shumë mirë se Elmiri atë ditë ka qenë në Krujë.

Spartak Koka: I ka marrë policia kamerat e tjera që ju nuk arrini t’i siguroni dot privatisht?

Elmir Tufa: Nuk i ka marrë policia. Po t’i kishte marrë policia do ta kishte vërtetuar shumë mirë se ku ka qenë Elmiri atë ditë.

Spartak Koka: Kur ka ardhur policia tek ju për kontroll?

Elmir Tufa: Më datën 17 ka ardhur policia ka bërë kontrollin te banesa. Unë atë ditë nuk kam qenë në shtëpi. Atë ditë ka bërë kontroll për herë të parë në shtëpinë time për atë ngjarje.

Spartak Koka: Dhe kush ndodhej në banesë në atë moment?

Elmir Tufa: Në atë moment ka qenë në banesë babi, mami, dy çunat, nusja, motra. /tvklan.al

Share: