Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Me 67 vota pro, Albin Kurti ka marrë detyrën si kryeministër për ta drejtuar ekzekutivin në Kosovë. Kjo është hera e dytë që Kurti do të drejtojë Qeverinë e Kosovës, pas mandatit të tij të parë që nuk zgjati më shumë se 52 ditë. Lëvizja Vetëvendosje ka arritur këtë herë që ta krijojë qeverinë e vetme, pasi ka fituar 50.03 përqind të votave në zgjedhjet e përgjithshme.
Qeveria e re është votuar pro nga 67 deputetë ndërsa 30 kanë votuar kundër dhe asnjë abstenim.
Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës dhe kabinetin qeveritar para deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është zotuar se qeveria e tij do të jetë e ndryshimit pozitiv për Kosovën.
Ai në foltoren e Kuvendit, duke prezantuar ekspozenë e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se pandemia COVID-19 do të jetë prioriteti numër një i qeverisë së tij, më pas drejtësia, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe reformimi në arsim.
“Pandemia sfida kryesore, pa humbur kohë do të dalim me plan për masa të reja dhe do të synojmë vaksinimin e 60 për qind të popullsisë. Do të vazhdojmë vettingun për të vendosur drejtësi. Edhe arsimi do të riformohet”, tha Kurti.
Kurti: S’ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk njihet realitetit i Kosovës së pavarur
Mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe në mes të dy shteteve. Ai në foltoren e Kuvendit, duke prezantuar ekspozen e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se me Serbinë, Kosova ka çështje të hapura që duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, megjithatë shtoi se asnjë progres nuk mund të bëhet nëse nuk mund të bëhet nëse nuk ka progres në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë.
Ky është Kabineti Qeveritar:
Kryeministër, Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi
Ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati
Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukuturës, Liburn Aliu
Ministër i Bujqësisë, Faton Peci
Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka
Top Channel