The Guardian, 17 Prill 2021
1250 klerikë të Krishterë Anglezë i janë drejtuar Kryeministrit Boris Johnson me një letër, ku dënojnë fort dhe qartë “pasaportën e vaksinës”. Në fjalët e tyre “pasaporta e vaksinës është propozimi politik më i rrezikshëm i bërë ndonjëherë”
Më poshtë letra në shqip, për lehtësinë tuaj:
Për: Kryeministrin Boris Johnson
Prill 2021
I dashur Kryeministër,
Si udhëheqës të Krishterë të disa konfesioneve, ne vazhdojmë të lutemi në këtë kohë për qeverinë tuaj, “dhe për të gjithë ata në pozita të larta, në mënyrë që të mund të bëjmë një jetë të qetë dhe paqësore me hir Perëndie dhe dinjitet”.
Sidoqoftë, ne ju shkruajmë në lidhje me një çështje serioze shumë shqetësuese, përkatësisht për futjen e mundshme në shoqërinë tonë të të ashtuquajturave “pasaporta vaksine”, të cilave gjithashtu u janë referuar si “certifikata të statusit COVID” apo edhe “leje të lirisë”. Ne jemi plotësisht kundër këtij sugjerimi dhe dëshirojmë të ngrejmë tri çështje në lidhje me mundësinë që një skemë e tillë të merret në konsideratë.
Së pari, të bësh vaksinimin bazën mbi të cilën dikujt i lejohet hyrja në një vend apo pjesëmarrja në një aktivitet, nuk ka kuptim logjik sa i përket mbrojtjes së të tjerëve. Nëse vaksinat janë shumë të efektshme në parandalimin e sëmundjeve të rëndësishme, siç duket të jenë provat e derisotme, atëherë ata që janë vaksinuar tashmë janë të mbrojtur; nuk ka asnjë përfitim për ta nëse njerëz të tjerë vaksinohen ose jo.
Për më tepër, meqenëse vaksinat nuk parandalojnë infeksionin në vetvete, edhe një person i vaksinuar në teori mund të mbartë dhe të kalojë potencialisht virusin, kështu që t’i japësh dikujt statusin “i sigurt jo-shpërndarës” në bazë të provës së imunitetit të tyre ndaj sëmundjes është e gënjeshtërt.
Së dyti, futja e pasaportave të vaksinave do të përbënte një formë joetike detyrimi dhe shkelje të parimit të pëlqimit vullnetar, të informuar. Njerëzit mund të kenë arsye të ndryshme për të qenë të paaftë, ose jo të gatshëm për të marrë vaksinat të cilat janë aktualisht disponibël, përfshi, për disa të Krishterë, çështje serioze të ndërgjegjes, të lidhura me etikën e prodhimit ose testimit të vaksinave.
Ne rrezikojmë të krijojmë një shoqëri me dy nivele, një aparteid mjekësor në të cilin një nënklasë e njerëzve që refuzojnë vaksinimin përjashtohen nga fusha të rëndësishme të jetës publike.
Ekziston gjithashtu një frikë e ligjshme se kjo skemë do të ishte ajo krisje e padëshiruar që na mund të çonte drejt një gjendjeje të përhershme, në të cilën statusi i vaksinës COVID mund të zgjerohet për të përfshirë forma të tjera të trajtimit mjekësor, dhe ndoshta edhe kritere të tjera përtej kësaj.
Kjo skemë ka potencialin për të sjellë fundin e demokracisë liberale siç e njohim ne, dhe për të krijuar një shtet survejues, në të cilin qeveria përdor teknologjinë për të kontrolluar aspekte të caktuara të jetës së qytetarëve. Si e tillë, kjo përbën një nga propozimet më të rrezikshme politike të bëra ndonjëherë në historinë e politikës britanike.
Më në fund, si udhëheqës të Krishterë dëshirojmë të deklarojmë se nuk shohim asnjë rrethanë në të cilën të mund të mbyllim dyert për ata që nuk kanë një pasaportë vaksine, një certifikatë testimi negativ ose ndonjë “provë tjetër shëndetësore”. Për Kishën e Jezu Krishtit që të mbyllë dyert për ata që gjykohen nga shteti si të padëshirueshëm shoqëror do të ishte anatemë, dhe një mohim i së vërtetës së Ungjillit.
Mesazhi që predikojmë është dhënë nga Zoti për të gjithë njerëzit dhe nuk konsiston në asgjë tjetër përveç dhuratës falas të hirit të ofruar në Krishtin, me thirrjen universale për pendim dhe besim tek ai. T’u mohosh njerëzve hyrjen për të dëgjuar këtë mesazh jetëdhënës dhe për të marrë këtë shërbesë jetëdhënëse do të ishte një tradhti themelore ndaj Krishtit dhe Ungjillit. Kishat dhe organizatat e sinqerta të Krishtera nuk mund ta bëjnë këtë, dhe si udhëheqës të krishterë do të ishim të detyruar t’i rezistonim çdo Akti të tillë të Parlamentit me forcë.
Ne tërheqim vëmendjen tuaj mbi Rishikimin Gjyqësor më të fundit që përmbysi ndalimin e qeverisë Skoceze për adhurimin publik, i cili demonstron se parandalimi i tillë disproporcional i të drejtës së adhurimit është një shkelje e qartë e Nenit 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ne nuk shohim se si përpjekjet për të parandaluar njerëzit që mblidhen për adhurim në bazë të testimit ose jo-vaksinimit nuk do të gjykohej, në mënyrë të ngjashme, si shkelje.
Ne jemi dakord me ata anëtarë të Parlamentit që tashmë e kanë shprehur kundërshtimin ndaj këtij propozimi: do ishte përçarëse, diskriminuese dhe shkatërruese futja e ndonjë certifikimi të detyrueshëm shëndetësor në shoqërinë Britanike. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të pohojë me forcë dhe qartë se nuk do mendojë të ndërmarrë këtë plan joliberal dhe të rrezikshëm, as tani dhe as kurrë.
Sinqerisht
Marrë nga faqja në Facebook e Dritan Shano