Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka reaguar përsëri në lidhje me grevën e kontrollorëve në aeroportin e “Nënë Tereza” në Rinas.
Në një deklaratë për mediat, Balluku tha se kontrollorët që morën pjesë në grevë do nxjerren nga godina nga forcat e armatosura, pasi sipas saj, kanë hequr dorë nga detyra
Balluku tha se ata që nuk janë pjesë e mashave të politikës të qëndrojnë dhe të deklarojnë që janë të aftë për punë.
“Kontrollorët e trafikut ajror që kanë nënshkruar kontrata, kanë vendosur as të mos bëjnë detyrën, as të mos bëjnë shërbimin. Për këtë arsye këta persona nuk mund të qëndrojnë më në këtë ndërtesë. Të gjithë këta persona që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, të gjithë këta që nuk duan ta kryejnë këtë funksion do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment. Ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës të qëndroni dhe të deklaroni që jeni të aftë për punë dhe të vazhdoni punën dhe të hyni e dilni në ndërtesë. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë… detyra fatkeqësisht është braktisur para 3 mln dëshmitarëve. Keni braktisur detyrën para 3 mln shqiptarëve, e keni kyçur derën e vetme shqiptarëve. E turpëruat Albcontrolin dhe e kthyet në dyqan. 5 mashat e politikës, se nuk jeni më shumë e kthyet në dyqan. E bëtë institucionin më të rëndësishëm të transportit të Shqipërisë dyqan me tra dhe qepen dhe nuk vutë asnjë tabelë”, deklaroi Balluku./ Opinion.al