Home Gjeo-Ekonomia Ushtria amerikane “zbarkon” në Durrës/ Përgatitjet për “Defender Europe 2021”k

Ushtria amerikane “zbarkon” në Durrës/ Përgatitjet për “Defender Europe 2021”k

Ndërsa pak ditë na ndajnë nga dita kur forcat ushtarake amerikane (26 prill) do të nisin një stërvitje në vendin tonë, përgatitjet kanë nisur. 

Pamjet që shihni vijnë nga porti i Durrësit, ku ushtria amerikane po sjell mjetet për stërvitje.

Stërvitja e NATO-s në Shqipëri, “Defender Europe 2021” është konsideruar ndër të tjera jo vetëm një tregues i nivelit të ngushtë të bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të ngushta që Shqipëria ka me SHBA, një nga aleatët kryesorë të saj, por ajo do të thotë shumë dhe në aspektin financiar, sepse pritet të rriten të ardhurat në strukturat ushtarake.

Në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vende të tjera aleate, të cilat do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti.

Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard e cilësoi Shqipërinë gjatë një vizite të fundit në vendin tonë si partnere strategjike e sigurisë amerikane në Europë. Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”.

Ndërkohë kjo stërvitje vjen në të njëjtën kohë kur , Shtetet e Bashkuara janë në një situatë konflikti për çështjen e kufirit midis Ukrainës dhe Rusisë.

Vendimi amerikan tingëllon si një mesazh nga një anë mbështetës për Kievin aleat, por edhe një paralajmërim ndaj Moskës që javët e fundit ka filluar të përqendrojë forca të shumta ushtarake në kufi me Ukrainën, zyrtarisht për t’iu kundërpërgjigjur atyre që cilësohen si provokime të ushtrisë ukrainase ndaj rebelëve të zonave pro-ruse në lindje të vendit.

Presidenti amerikan e ka paralajmëruar homologun rus se Shtetet e Bashkuara do t’iu përgjigjen ndërhyrjeve ruse “në një mënyrë të matur dhe proporcionale”. Biden shpjegoi se Shtetet e Bashkuara “mund të kishin shkuar më tej” me hakmarrjen, por ai zgjodhi të mos e bëjë këtë, sepse, dëshiron të shmangë përshkallëzimin e situatës.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrën për përplasjet në rritje në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase kanë luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në konfliktin që Ukraina thotë se ka shkaktuar vdekjen e më shumë 14,000 njerëzve që nga viti 2014. Ngërçi ka rritur tensionet midis Moskës dhe administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, e cila vendosi një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë këtë javë që e shtyu Moskën të hakmerrej me masa të ngjashme të premten.

Top Channel

Share: