Një breshëri arme zjarri i ka marrë jetën mbrëmjes e së martës në Elbasan 41 vjeçarit Everest Çaka ndërsa e plagosur ka mbetur bashkëshortja e tij Silvana Çaka.
Një vrasje e stilit mafioz ku të gjitha pistat të çojnë në një larje hesapesh dhe hakmarrje të mundshme, që duket se lidhet me disa pista ku familja Çaka ishte e përfshirë.
Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali. Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami. Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, dhe i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.
Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se vrasja mund të ishte kryer nga Everest Çaka në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë.
Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë.
Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.
Vrasja e Everest Çakut mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të tij të hallës Arjan Spahiu i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020.
Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.
Ekzekutimi i Spahiut në Belgjikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg. Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun.
Duket se të gjitha pistat rreth vrasjes së 41 vjeçarit në Elbasan të çojnë në larje hesapesh, ndërkohë policia e prokuroria janë duke vijuar hetimet.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen Skëndërbej teksa çiftit që udhëtonte me makinë ju bë pritë dhe u qëlluan disa herë.
Duket se vrasësi ka pasur shënjestër të saktë përderisa bashkëshortja e Çakajt mori vetëm një plumb në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel