Home KRYESORE Nuk nderohet Zoja e Bekume, kur nuk nderohen zojat e shpisë

Nuk nderohet Zoja e Bekume, kur nuk nderohen zojat e shpisë

Nga Dom Gjergj Meta-

Muaji i Zojës. Tradita e krishterë katolike, sot fillon kremtimin e muajit të Zojës. Koha dhe hapësira na janë dhënë për t’i shenjtëruar, për t’u dhënë atyre një trajtë shpirtërore. Prandaj, Kisha, në historinë e saj, e ka shenjtëruar kohën nëpërmjet kremtimit të mistereve të besimit tonë. E një nga këto mistere është edhe jeta e personi i nanës së Krishtit.

Një muaj kushtuar tërësisht asaj, do të thotë një muaj reflektimi mbi rolin e Marisë si grua në planin e shëlbimit të Hyjit, të bindjes së saj ndaj këtij plani dhe të kundrimit të saj si model i një besimtari e besimtareje, në fund të fundit, si modeli i Kishës që bëhet instrument i përmbushjes së planit të Hyjit në Tokë.

Është një rast i mirë që krahas devocionit për Zojën e bekuar, shtegtimeve nëpër shenjtërore, të thellohemi gjithnjë e më shumë në aspektet shpirtërore të kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe të reflektojmë gjithnjë e më shumë për gruan në shoqërinë tonë shqiptare.

Është e vërtetë që ajo ka njohur rritje në këto vite. Sot kemi gra që janë të suksesshme në fushën akademike, kulturore, politike, ekonomike dhe familjare, por ka ende shumë gra që dhunohen, diskriminohen, nuk u jepet zë në shoqëri e do të thoja edhe në kishë.

Shpesh harrojmë se po të hedhim sytë, e shohim edhe këtu se pjesën më të madhe të peshës në jetën e shoqërisë e mbajnë gratë, të cilat i japin shumë familjes me përkushtimin dhe sakrificat e tyre të panumërta, të përditshme, të përhershme. Nderimi dhe kujdesi i shoqërisë ndaj tyre duhet të jetë primar. E të mos harrojmë se ashtu si Zoja, shumë gra, nëna dhe gjyshe kanë qenë dhe janë shembujt e ruajtjes së besimit, të së mirës së memories së brezave dhe të jetës familjare.

Nuk ka vlerë një meditim, një rruzare, një devocion apo një shtegtim në vendet e Zojës, nëse ne nuk hedhim sytë e zemrës dhe të mendjes te “zojat” e jetës sonë të përditshme dhe nëse nuk punojmë që jeta e tyre të njohë ditë më të mira.

Të dashur vëllezër e motra, Kisha e ka në nderim të veçantë Nanën e Krishtit. E jo vetëm ne katolikët, por dhe vëllezërit tanë ortodoksë, të cilët sonte festojnë vigjiljen e Pashkës. Edhe vëllezërit tanë myslimanë e nderojnë shumë nanën e Jezusit në librin e tyre të shenjtë.

Po ashtu, edhe ne që jemi sote këtu, dëshirojmë t’ia drejtojmë asaj lutjen tonë me fjalët e Dante Alighier-it, i cili këtë vit mbush 700 vjet nga vdekja e tij:

“O Zojë, kaq je e madhe e vlerë ke vetë

Sa kush don hir dhe te ti s’vrapon

Dëshira e tij don t’fluturojë pa fletë

Me mirësinë tande ti jo veç ndihmon

Atë që të lyp, por shpesh ndër të vështira

Pa t’u drejtue ende’ në ndihmë shkon

N’ty dhimbsunija dhe në ty mëshira

N’ty bujarija, asht bashkue te tij

E të gjitha krijesave e mira.”

  • Nga predikimi në Shenjtëroren e Zojës së Shkodrës për fillimin e muajit maj kushtuar Nanës së Krishit.
Share: