Home Gjeo-Ekonomia Publikohet raporti, Danimarka ndihmoi SHBA të spiunonte liderët e BE

Publikohet raporti, Danimarka ndihmoi SHBA të spiunonte liderët e BE

Shërbimi sekret i Danimarkës ndihmoi SHBA të spiunonte politikanët europianë, përfshirë edhe kancelaren gjermane Angela Merkel nga viti 2012 në 2014.

Sipas një raporti të publikuar nga media daneze Danmarks Radio, shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes (FE) bashkëpunoi me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA (NSA) për të mbledhur informacione.

Të dhëna u mblodhën gjithashtu dhe mbi zyrtarë të tjerë nga Gjermania, Franca, Suedia dhe Norvegjia, sipas raportit.

Sipas BBC, akuza të ngjashme ka patur edhe në vitin 2013. Asokohe, sekretet e zbuluara nga sinjalizuesi amerikan Edward Snowden pretenduan se NSA kishte përgjuar telefonin e kancelares gjermane, Merkel.

Kur u bënë ato akuza, Shtëpia e Bardhë nuk sha një përgjigje të plotë, por tha se telefoni i zonjës Merkel nuk ishte duke u përgjuar në atë kohë dhe nuk do të ishte në të ardhmen.

Në raportin e ri NSA thuhet se ka hyrë në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike të një numri individësh të shquar duke përdorur kabllot daneze të internetit në bashkëpunim me Shërbimet sekrete.

Në raport thuhet se i koduar si “Operacioni Dunhammer”, lejoi NSA të merrte të dhëna duke përdorur numrat e telefonit të politikanëve si parametra kërkimi, sipas Danmarks Radio.

Së bashku me kancelaren Merkel, Ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe udhëheqësi i opozitës në atë kohë Peer Steinbruck u tha gjithashtu se ishin në shënjestër.

Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës Trine Bramsen, i cili thuhet se ishte informuar më herët për spiunazhin, i tha Danmarks Radio se “përgjimi i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.

Ndërkohë që as FE dhe as NSA nuk kanë komentuar ende mbi raportet e fundit.

Pas lajmit , Snowden akuzoi Presidentin e SHBA Joe Biden se ishte “përfshirë thellë në këtë skandal herën e parë”. Biden ishte zv/president i SHBA-së në kohën kur ndodhi mbikëqyrja e raportuar.

Në 2013,  Snowden, një ish-kontraktor për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) – zbuloi në media detaje të mbikëqyrjes së telefonit nga inteligjenca amerikane.

SHBA-të atëherë e akuzuan atë për grabitje të pronës qeveritare, komunikim të paautorizuar të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe komunikim të qëllimshëm të inteligjencës së klasifikuar të komunikimit. Snowden më vonë kërkoi strehim në Rusi./Opinion.al

Share: