Nga Flora Gjondedaj Dervishi
Të lexosh apo të redaktosh letërsi të gjeneratës që erdhi në jetë në pragun e demokracisë shqiptare, nuk mendoj se duhet të rrekesh për analiza analitike me parashtrime teorike.
Ajo çka të thotë teksti Njëzet e tetë vegimet e hënës është një thurje poetike e autores, poete e talentuar e pasmileniumit të ri, që po gjendet në kapërcyell, drejt hapësirave të prozës socio-meditative.
Thurja e oganizuar fort mirë letrarisht, tenton një shmangie nga e zakonshmja dhe gjen strehëzën te guri blu i hënës. Kjo mendoj se është një gjetje e veçantë, pasi ajo del nga skema e një narracioni tradicional, me digresione të herëpashershme dhe gjen mjete për ta endur mendimin e saj me ndjeshmëri, sa mistike aq edhe reale .
Boshti kryesor universal, por tepër i veçantë në këtë tekst si; lidhja dashurore Helios-Luna bëhet një motiv sa biblik, aq edhe modern. Aureola e femrës merr dritësi hënore larg banaliteteve. Dhe autorja enkas, por natyrshëm vendos në antipodë çiftin e numrit dy.
Luna, ndonëse nuk është gjysmëperëndi, është liberatore e përkorë në qenien e saj të dashuruar. Ajo ka ardhur në jetë, me misionin për të paqtuar, për të parë në brendësi thelbin e fenomeneve, ashtu siç i ka krijuar natyra, ndaj hera-herës, filozofon me të shkuarën dhe gurin e hënës.
Autorja zgjedh mënyra sinonimike për të shprehur mendimin dhe për t’i dhënë kuptim përmbajtjes dhe personazheve, të cilët lëvrijnë herë me tiparet e misionarit human, herë ergërshan, si një qenie e deformuar në kompleksin e banaliteteve egocentriste.
Koncepti themelor i novelës organizohet realisht në 28 vegimet e hënës apo ciklet e saj astronomike të njohuara. Luna, e ndërgjegjshme është aty prezente dhe merr nga magjia e saj. Veçoj njohjen me shkencën e gurëve te shenjtë, argumentet vijnë bindës.
Vështrimi i hënës pëson degëzimin e autores në thurjen e brendisë. Ato janë pjesë të një mozaiku që lidhen organikisht, pasurohen dhe japin realitetin e sotëm, duke tentuar në një fushë me rol parësor si; informacioni apo gazetaria, veçmas ajo investigative, më e vështira.
Kujdesi në përdorimin e fjalëve, veçantia e këndvështrimit dhe e ndërtimit letrar i japin lidhje organike novelës. Imazhi, temporitmi, rrjedha brendore nuk flasin për një skemë pedante, por as formaliste e minimaliste.
Çdo lexues zbulon vlera të reja estetike duke e rrokur dhe prekur përmbajtjen. Këta tregues pa enumeracion janë shpresë e arritjeve të mëtejshme, për të lëvruar prozën me dimensionin që përzgjedh autorja, por jo e nisur nga zbrazëtia.
Diplomimi në shkenca filologjike e kultivimi, në pothuajse katër dhjetëvjeçarët e saj me letërsi shqiptare e të huaj, i japin një aparat konceptual dhe krijues dhe talentit të saj të pranishëm në letërsinë shqiptare.