Home KRYESORE Le që, me ata malësorë, ju pëlqen apo jo, jeni tashmë të...

Le që, me ata malësorë, ju pëlqen apo jo, jeni tashmë të përzier në martesa e lindje…

I lezetshëm kampanilizmi shqiptar! 🤔

Nga Adela Kolea

Për këto skenat e fundit të ‘performancës’ së rinisë në Shkodër, e cila shpalosi publikisht pasionet dhe interesat e saj spontane për një dukuri të përcaktuar “trash”, saktësojnë:

“Nuk janë të tërë shkodranë!
Nuk përfaqësojnë Shkodrën!”

Dhe me këtë, “i lanë duart.”

Fillojnë distancimet haptas nga të ardhurit malësorë në Shkodër, prej qytetarëve vendas.

Seleksionohet “qytetaria qytetare” nga “qytetaria malësore/katundare”, pa përfillur konceptin e qytetarisë si modus vivendi dhe evidentohet ajo si përkatësi, origjinë.

Po ç’rëndësi ka, zotërinj!

Le që, me ata malësorë, ju pëlqen apo jo, jeni tashmë të përzier në martesa e lindje.

Nuk mund të pretendojmë në asnjë qytet sot popullsi homogjene, së pari.

Së dyti, sa homogjene e ka popullsinë Tirana ndërkohë, që e gjykoni e penalizoni sipas tematikës së radhës, çdo rast…?

Në Tiranë jo sot, po historikisht janë përqendruar origjina të përziera shqiptare e minoranca etnike po ashtu.

Kur flisni për Tiranën “konfuzionale”, atë të mbipopulluar, nuk më duket se miellin e kaloni kaq kujdesshëm në sitë.

Nuk më duket se veçoni tironsin autokton.
I fusni të gjithë në një thes.

Identifikoni me “Tiranën” çdo përkatësi lokale të shpërngulur aty përsa i përket konceptimit të kulturës në sens negativ, e jo të ardhurit në Tiranë prej një shekulli të paktën por, konsideroni “tiranas” të ardhurit pas ’90-ës.

Kjo, jo për të evidentuar “gërshërën” e ndarjeve krahinore por, për të nxitur një sens kritik super partes e autonom, objektiv e qytetar.

Se një herë të vetme, shqiptari s’ia dha Çezarit atë çka i takon…!

Dhe, duke iu kthyer rastit të fundit të vrullit rinor në Shkodër për interesa mediokre apo “trash”, i cili padashje u kthye në një pasqyrë, në një eksperiment social, mendoj se është me vend të analizohet profili i rinisë së sotme më thellë:

Në apati për interesa të mirëfillta progresiste dhe, aktive për “shkëlqime” e fasada boshe, që nuk i çojnë askund, përveçse në regres.

Kjo është një plagë e rinisë moderne, e shoqërisë së sotme, që perceptohet nga pak kudo nëpër Evropë, nuk është çështje e izoluar e lokaliste shqiptare e X apo Y qyteti shqiptar por, është disi globale.

Sigurisht, në Shqipëri shumë e theksuar e këtu duhet ndalur.

Jo tek distancimi nëse “qenë apo jo shkodranë doc” ata të rinj entuziastë ndaj “xixave e teminave” të disa formateve televizive skadente…

Share: