Home Gjeo-Ekonomia REL: Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, së shpejti të sigurta nga koronavirusi

REL: Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, së shpejti të sigurta nga koronavirusi

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë tre vende të Ballkanit Perëndimor që kanë potencialin të shpallen të sigurta për udhëtim të lirë drejt Bashkimit Evropian, thanë burimet diplomatike për Radion Evropa e Lirë.

Portugalia, e cila mban presidencën aktuale të BE-së, është duke përpiluar një listë të vendeve, të dhënat e të cilave tregojnë se janë të sigurta sa i përket infeksionit me koronavirus.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë thuhet se janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë për secilin prej këtyre vendeve të mërkurën dhe do të vendosin në përputhje me situatën e tyre epidemiologjike.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Në muajin maj, Këshilli i BE-së hoqi zyrtarisht kufizimet në udhëtimet jothelbësore për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar me të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës kundër koronavirusit.

Shtetasit e vendeve të treta përfshijnë edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, qytetarët e atyre vendeve që nuk janë në listën e sigurt, kanë ende nevojë për pëlqimin e vendit pritës, ndërsa leja nuk kërkohet për ata që vijnë nga një vend që konsiderohet i sigurt.

Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin./REL/

Share: